Lajme

Thaçi takohet me ambasadorët e QUNIT-it, së shpejti fillon takimet me liderët e partive

03/30/2020 11:14
nga:N.K

Kosova tashmë ka hyrë një një fazë të re politike, ku aktualisht vendi është duke funksionuar me një qeveri në detyrë, shkruan GazetaBlic.

Pas votimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pritet që gjatë kësaj jave të presë në takim partitë parlamentare për tu konsultuar lidhur me krijimin e një qeverie të re.

Para pak ditësh presidenti Thaçi, kishte deklaruar se së bashku me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, kanë biseduar për procedurat e mëtutjeshme për formimin e një qeveri të re.

“Sot kisha një shkëmbim të hapur pikëpamjesh me Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett. Ne u pajtuam që seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës ka konfirmuar edhe një herë standardin e lartë të demokracisë në shtetin tonë, si dhe respektin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Po ashtu, ne diskutuam edhe për procedurat e mëtejme për formimin e një qeverie të re, të cilat do të bazohen plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, duke njohur në këtë proces edhe rolin vital të Gjykatës Kushtetuese. Kosova është e bekuar me miqësinë e SHBA-së, e cila vetëm po forcohet në këto kohë të vështira për të dyja vendet”, tha Thaçi.

Por para një takimi me krerët e partive politike, Thaçi sot ka pritur në takim edhe ambasadorët e shteteve të QUINT-tit.

Këtë për GazetaBlic e kanë konfirmuar edhe nga zyra e presidentit të Kosovës, ku më tutje thonë se presidenti i ka njoftuar ambasadorët që gjatë kësaj jave ai do të zhvillojë takime me liderët e partive parlamentare.

“Presidenti ka pasë një takim me shtetet e QUNT-it, ku thotë se në ditët e ardhshme do të fillojnë takimet”, thonë nga Zyra e Presidentit Thaçi, për GazetaBlic.

Ndërsa sipas kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, përfundimisht, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Vetëvendosje, presidenti duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve për të gjithë.

Kurti tutje theksoi se president i vendit duhet të veprojë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe jo ta interpretojë atë.

“Mocioni i mosbesimit i 25 marsit 2020 ishte i llojit destruktiv: synonte rrëzimin e qeverisë. Kaq. Nuk ishte mosbesim konstruktiv me ç’rast Kuvendit do t’i paraqitej njëkohësisht edhe një ofertë e re për qeveri të ardhshme. Vota PËR me 25 mars 2020 ishte asgjë më shumë sesa votë KUNDËR. Si e tillë ajo shkëputi lidhjen pushtet-popull. E vuri qeverinë në pyetje në mënyrën ku populli (dhe jo Kuvendi) jep përgjigje. Kuvendi e rrëzoi qeverinë në Kuvend. Qeveria në detyrë qeveris. Përfundimisht, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Presidenti duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve për të gjithë. Sepse ai duhet ta zbatojë Kushtetutën e jo ta interpretojë atë”, tha Kurti.

08/12/2020 17:45

Ky është vendimi i Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, për koalicionin me LDK-në