Lajme

Thaçi nderon vëllezërit Bytyqi

09/22/2019 20:17
nga:Gazeta Blic

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka nderuar vëllezërit Bytyqi gjatë një vizite te varrezat e tyre në Yonkers të Nju Jorkut, së bashku me prindërit e heronjve të kombit, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, me bashkëluftëtarë të tyre dhe me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në SHBA.

“Para varrit të tyre, si president i Republikës së Kosovës, shpreha nderimet më të thella në emër të popullit dhe institucioneve të shtetit të Kosovës, për sakrificën që ka bërë familja Bytyqi për Kosovën”, shkruan Thaçi në Facebook.

“U mbusha me ndjenjat më të thella të respektit, nderimit, por edhe dhimbjes në vizitën që bëra te varrezat e vëllezërve Bytyqi në Yonkers të Nju Jorkut, së bashku me prindërit e heronjve të kombit, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, me bashkëluftëtarë të tyre dhe me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në SHBA”, shton kreu i vendit.

Presidenti Thaçi është takuar edhe me bashkëluftëtarë nga Batalioni i Atlantikut, së bashku me komandantin e tyre Gani Shehu, në vendin prej ku ata janë nisur për të ardhur dhe për të luftuar për Kosovën.

“Bijtë tanë nga të gjitha trojet shqiptare kishin lënë ëndrrën amerikane për të ardhur dhe ndihmuar në realizimin e ëndrrës sonë për liri, pavarësi e barazi në Kosovë. Do t’u jemi përjetësisht mirënjohës për këtë”, theksoi presidenti Thaçi.

Për më tepër, ai ka thënë se komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe sot është i përkushtuar me të njëjtin zell për realizimin e plotë të shtetësisë së Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në vendet e rajonit.

“Për këtë ua shpreha mirënjohjen më të sinqertë komunitetin shqiptar në Bronx të Nju Jorkut”, shkruan presidenti Thaçi.

Pjesëtarët e MPB-së i kanë burgosur vëllezërit Bytyqi më datën 26 qershor 1999 në vijën kufitare Serbi-Kosovë, derisa ishin duke i ndihmuar një familjeje rome për të kaluar në Serbi. Më 9 korrik 1999 Mehmet (21), Agron (23) dhe Ylli (25) Bytyqi u vranë nga ana e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Sipas provave të paraqitura gjatë gjykimit, vrasjen e tyre e ka urdhëruar ministri i asokohshëm i Punëve të Brendshme, Vllajko Stojiljkoviq. Urdhri është përcjellë nëpërmjet të zinxhirit komandues deri tek ekzekutori.

Në zinxhirin e komandës është gjetur kryeshefi i asokohshëm i Resorit të Sigurisë Publike, Vlastimir Gjorgjeviqi, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime në Kosovë, si dhe komandanti NjPP dhe i Qendrës së Mësimit në Petrovo Selo, kurse sot themeluesi i organizatës joqeveritare Qendra për Studimin e Terrorizmit dhe anëtari i Këshillit qendror të Partisë progresiste serbe, Goran Radosavleviq- Guri.