Lajme

Thaçi: Kosova do t’i kryej detyrimet e veta për Gjykatën Speciale

02/05/2018 12:26
nga:Gazeta Blic

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është ulur për disa minuta në karrigen ku ka qëndruar për disa vite, atë të kryeministrit të Kosovës, për t’iu drejtuar me një fjalë rasti kabinetit qeveritar për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë.

Presidenti Thaçi tha se është momenti i duhur që Bashkimi Evropian të konfirmojë se tërë Evropa juglindore i përket Bashkimin Evropian dhe jo ideologjive tjera që cenojnë vlerat dhe parimet perëndimore.

Sipas tij, nënshkrimi i MSA-së për ne ka qenë mirënjohje për të reformat që kemi bërë në ekonomi dhe sektorët tjerë por është edhe udhërrëfyes për integrimin në BE.

Duke e cilësuar nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit Kosova e re, si hap historik, ka thënë se fokusi i yni duhet të jetë zhvillimi ekonomik.

 

“Sfidat e menjëhershme mbesin plotësimi i të gjitha kushteve për liberalizim të vizave për qytetarë të Kosovës, transformimin e shpejt dhe të suksesshëm të FSK-së në FAK, luftimi i radikalizmit dhe ekstremizmit, ruajtja e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive tjera negative, por duhet qenë inkurajues në angazhimet që kemi bërë deri tani sepse kemi plotësuar kriteret për liberalizim, natyrisht duke mirëpritur dhe janë shumë të mirëseardhura përpjekjet e fundit që të gjendet një rrugëdalje për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi”, tha ai.

Por nuk harrojë pa përmendur edhe Gjykatën Speciale.

 

“Sa i përket Gjykatës Speciale edhe pse e pa drejt historikisht, Kosova ka marrë detyrimet veta dhe do t’i kryej me përpikëri me marrëveshjet që kemi arritur. Edhe ky vendim është bërë për të ruajtur partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-në”, tha Presidenti Thaçi.

Thaçi u ndal edhe te dialogu me Serbinë.

 

“Tani jemi futur në fazën përmbyllëse të këtij procesi dhe jemi duke punuar që të arrijmë një marrëveshje përfundimtare që nënkupton normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe pajtim ndërshtetëror. Pa asnjë dyshim sot jemi shembull i paqes dhe pajtimit, shembull i dialogut dhe ndërtimit të marrëdhënieve për të gjithë“, ka thënë Presidenti Thaçi.

Kurse, në fund dha tri propozime, duke shpresuar se do të marrin mbështetjen e kabinetit qeveritar.

 

“Shteti i Kosovës ka nevojë për ndërtimin e kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore si domosdoshmëri e kohës dhe prezantimit real të zhvillimit të Kosovës. Së dyti vuajtjet tona shekullore dhe përpjekjet për liri janë të ngulitura në mendjen e secilit nga ne por kjo nuk mjafton, kujtesës tonë kolektive historike patjetër i duhet një objekt muze, të cilën unë propozojë ta quaj muzeu i pavarësisë, ku do të ruhen dhe ekspozohen artefaktet materiale të një procesi të gjatë historik që pasqyron vuajtjet dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi, dhe së treti kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, gjithashtu ka nevojë për ndërtimin e një obelisku të lirisë, si monument i kujtimit dhe ndërtimit për sakrificën e të gjitha gjeneratave për lirinë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha ai.

Derisa numërojmë të arriturat e shtetit të Kosovës, përmendi aspiratat për të ardhmen, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi, ku shtoi se edhe pse e dimë se cili është destinacioni ynë, rruga deri në NATO dhe Bashkim Evropian, nuk është e lehta dhe e shpejt.

Ai theksoi se këto dhjetë vite kanë qenë vitet të suksesit por edhe të mësimeve dhe obligimeve që kemi përball institucioneve tona shtetërore.

Kurse, kryeministri Ramush Haradinaj, i premtoi Presidentit që në mbledhjet e ardhshme do t’i procedojnë propozimet e tij për shkak se janë në interes të vendit.