Lajme

Thaçi intervistohet në ora 13:00 edhe sot

07/14/2020 11:08
nga:E Sh

Presidenti i vendit Hashim Thaçi do të intervistohet edhe sot nga Prokurori Special në Hagë.

Burime të Klan Kosovës marrin vesh se intervistimi i Thaçit do të nisë, ashtu sikur dje, në orën 13:00.

Gjatë ditës së djeshme, Thaçi është intervistuar në Dhomat e Specializuara në Hagë për plot gjashtë orë.

Pas intervistimit, ai ka folur shkurt duke thënë se ka dëgjuar shkëmbime të teknaliteteve të ndryshme mes avokatit dhe prokurorëve.

”Ishte çështje sqaruese teknike, në të njëjtën kohë edhe ato fillestare të interesimit të Prokurorëve për UÇK-në, kështu që do të vazhdojë nesër”.

Në ndërkohë, para se të futet në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ish-Drejtori Politik i UÇK-së ka ripërsëritur që askush nuk mund ta rishkruajë historinë.

Thaçi, në mesin e brohoritjeve të shqiptarëve që kishin dalë ta mbështesin, tha se ky është çmimi për Pavarësinë.

“Sot jam këtu për të respektuar atë për të cilën kam ëndërruar dhe luftuar – një Kosovë të pavarur bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multi-etnike dhe sundim të ligjit. Jam gati të përballem me sfidën e radhës dhe t’ia dalë me sukses për djalin tim, familjen, njerëzit dhe vendin tim”.

“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi për lirinë”.

I pari i vendit ka deklaruar se beson në dialog dhe pajtim, derisa Kosovën e ka quajtur histori suksesi.