Lajme

Thaçi i pafuqishëm ta kthejë procesin e veteranëve në pikën zero

10/11/2018 08:24
nga:Gazeta Blic

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka kompetenca që procesin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ta kthejë në pikën zero. Një kërkesë e tillë, e cila është bërë nga përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së për ndërhyrjen e Thaçit në këtë proces nuk mund të realizohet, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së martë pas një takimi që pati me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bëri të ditur se i kanë kërkuar ta ushtrojë autoritetin e tij që i tërë procesi për listat e veteranëve të kthehet në pikën zero, duke e konsideruar këtë si të vetmen mundësi për tejkalimin e parregullsive të shumta.

Mirëpo sipas njohësve të çështjeve të drejtësisë, presidenti i vendit nuk ka kompetenca për ta bërë një gjë të tillë.

Ata vlerësojnë se e vetmja formë përmes së cilës presidenti i vendit mund të ndikojë në këtë proces është përmes inicimit për plotësim-ndryshimin e Ligjit lidhur me Veteranët e Luftës. Megjithatë, çdo iniciativë ligjore duke përfshirë këtë të fundit duhet të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës sipas procedurave ligjore për shqyrtim dhe për miratim. Ata theksojnë se Kuvendi i Kosovës është autoriteti, i cili vendos lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve në Kosovë.

“Gazeta Blic” dje raportoi për kërkesën e Organizatave të Dalura nga Lufta e UÇK-së për rikthimin e këtij procesi në pikën fillestare.

OVL e UÇK-së vendos që të kthehet në pikën zero, procesi i verifikimit të veteranëve!