Lajme

Testi PISA, Kosova synon rezultate më të mira se në vitin 2015

07/17/2018 13:12
nga:Gazeta Blic

Nxënësit kosovarë këtë vit i janë nënshtruar testit PISA.

Për dallim nga herat e kaluara, kësaj rradhe testi është mbajtur në mënyrë digjitale.

Ky test, i cili mbahet çdo tre vjet, më 2015 e renditi Kosovën ndër vendet e fundit në botë sa i përket rezultateve të treguara.

Mirëpo, arsye për këtë po thuhet të jetë niveli i seriozitetit me të cilin është trajtuar atëbotë ky test.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbër Geci, ka thënë për lajmi.net se MASHT pret që rezultatet e PISA 2018 të jenë shumë herë më të mira se ato në vitin 2015.

“Ne presim rezultate shumë herë më të mira se sa rezultatet që kanë qenë në vitin 2015, për faktin se përgatitjet edhe teknike dhe niveli i seriozitetit të trajtimit të testit Pisa ka qenë shumë më i lartë se në vitin 2015”, është shprehur Geci.

Tutje, Geci tha se rezultatet e 2015-tës nuk ishin rezultate të cilat e shprehën realitetin e nivelit të nxënësve të cilët iu nënshtruan këtij testi, pasi siç thotë ai, nuk ka pasur seriozitet të mjaftueshëm në adresimin e problemeve.

“Ne kemi besuar edhe atëherë që rezultatet e kaluara nuk ishin rezultate të cilat kanë shprehur realitetin e nivelit të nxënësve të cilët i janë nënshtru këtij testi, për arsye se testi PISA nuk është trajtu me nivelin e seriozitetit të cilin e meriton, duke ditë edhe faktin që testi PISA nuk ndikon në vlerësimet personale të nxënësve, prandaj edhe në atë kohë nuk është trajtu në seriozitetin e duhur”, deklaroi Geci.

Geci po ashtu përmendi edhe përgatitjet e MASHT-it që këtë vit mbarëvajtja e këtij testi të jetë sa më e suksesshme, duke nënvizuar se është punuar me nxënësit në aspektin teknik, në mënyrë që ata të dijnë se si zhvillohet ky proces.

Zëvendësministri Geci bëri të ditur që rezultatet e këtij testi do të publikohen në fund të 2019-tës dhe sipas tij, kësaj here ato do të shpërfaqin nivelin real të nxënësve të cilit iu nënshtruan këtij testi.

Kujtojmë se testit PISA 2018 i janë nënshtruar mbi 3 mijë nxënës në të gjithë Kosovën.

11/04/2019 15:50

Studentët e Fakultetit të Edukimit paralajmërojnë protesta para MASHT dhe Rektoratit të UP