Sporti

Terry dhe penalltia e humbur në finalen e Ligës së Kampionëve: Mendova të hidhesha nga kati i 25-të

12/16/2025 17:14
nga:Mergim Rreci

Një gabim që përcakton karrierën. John Terry ishte pranë fitimit të Ligës së Kampionëve në vitin 2008.

Në finalen në Moskë kundër Manchester United, qendërmbrojtësi anglez rrëshqiti ndërsa gjuante penalltinë që do t’u kishte dhënë “bluve” trofeun, duke goditur shtyllën në të djathtë të Van Der Sar.

Është një gabim që e përndjek ende sot: “Ndonjëherë zgjohem në mes të natës dhe e kuptoj se ka ndodhur vërtet. Ende mendoj për atë moment dhe atë ndeshje. Mbaj mend që tre ose katër ditë pas finales shkuam në një kamp stërvitor me Anglinë. Të ulesha në tavolinë me lojtarët e United ishte gjëja më e keqe ndonjëherë. Madje shënova edhe kundër SHBA-së. Ndërsa po hyja brenda, po mendoja me vete: ‘Pse nuk mund ta ndërroj këtë gol me atë gabim?’”

Terry tregon në podkastin Reece Mennie se, sapo u kthyen në hotel pas finales, ishte aq i hutuar saqë madje mendoi të ndërmerrte veprime ekstreme: “Mendova të hidhesha nga kati i 25-të i hotelit. Duke parë prapa, do të doja të kisha folur me një specialist në atë moment. Kur u kthyem pas ndeshjes, mendova: ‘Pse unë? Isha në katin e 25-të, nuk po them se do të isha hedhur… por shumë gjëra të kalojnë nëpër mendje në atë moment: hedhja ishte një prej tyre. Shokët e mi të ekipit erdhën tek unë dhe më siguruan. Por ishte një nga ato momente kur mendova: ‘Po sikur…?’”.