Një incident ka ndodhur sot në Istog, në rrugën “Nëna Terezë”, afër tregut të gjelbër, ku dy zyrtarë policorë arrestuan një person të dyshuar në mes të rrugës.
Media lokale kanë publikuar pamjet e rastit.
Ndërsa, nga Policia kanë thënë për Gazeta Blic, se i dyshuari që u kap kishte tentuar të arratisej, e në pamundësi për të ikur ka nxjerrë një armë.
Ai shtoi se i dyshuari që shihet në video dhe personi që ishte me të, janë shoqëruar në stacion policor.
“Sot, rreth orës 13:15, në rrugën “Nënë Tereza” në Istog, në afërsi të Tregut të Gjelbër, zyrtarët policorë të cilët ishin në detyrë, kanë vënë re një automjet të dyshimtë. Policia ka kërkuar nga dy pasagjerët që të dalin nga vetura për një kontroll rutinë.
Njëri nga pasagjerët ka dalë nga automjeti dhe ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes. Pas disa minutash, ai ka nxjerrë një armë dhe e ka drejtuar drejt policisë. Autoritetet kanë përdorur metodat e nevojshme për të neutralizuar situatën dhe për të arritur arrestimin e të dyshuarve.
Gjatë procesit të arrestimit, një nga oficerët ka pësuar lëndime dhe është duke marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare në Istog (QKMF).
Vozitësi i automjetit gjithashtu është arrestuar, ndërkohë që nuk ka pasur shkrepje arme gjatë operacionit”, deklaroi zëdhënësi rajonal i Pejës, Fadil Gashi për Gazeta Blic.


