Cult

Televizioni gjerman i kushton dokumentar Baletit Kombëtar të Kosovës – luftojnë për mbijetesë

01/02/2019 21:33
nga:A. R.

Televizioni gjerman, ArteTV, i ka kushtuar një dokumentar Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës.

Në dokumentar pasqyrohet gjendja e rëndë e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Dokumentari nis me balerinët Sinan Kajtazi, Luljeta Ademi dhe Teuta Krasniqi, të cilët përkundër kushteve jo të mira, vazhdojnë të punojnë fort dhe të kenë suksese të jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë Kosovës.

Brenda një dhome shumë të vogël në bodrumin e teatrit në kryeqytet, mbi 20 kërcimtarë punojnë për ëndrrat e tyre të mëdha…

Teuta, konsiderohet balerina më e mirë në Kosovë, por ajo nuk e di se sa kohë do të jetojë në Kosovë. Edhe pse ajo është një balerinë e parë në Baletin Kombëtar, për shkak të kushteve të rënda ajo nuk mund të përballojë pagesën e qerasë duke u detyruar të jetojë me prindërit e saj.

Luljeta Ademi, e cila ka qenë në ansambël për 17 vjet, u jep mësime baletit fëmijëve që të arrijnë fundin. Sinan Kajtazi, dëshiron të tërheqë vëmendjen për gjendjen e valltarëve të Baletit Kombëtar me koreografinë e tij të fundit.

Përmes artit të tyre, ata gjithashtu dëshirojnë të përhapin besim dhe t’i bëjnë qytetarët e Kosovës të ndjehen të vlefshëm duke ndjekur ëndërron e tyre përkundër varfërisë që përballet vendi, përcjell Telegrafi.