Lajme

Telenovela Kurti dhe Mustafa: Ju dështuan tetë takime, i nënti i pasigurt

01/14/2020 07:11
nga:Gazeta Blic

Kanë kaluar tre muaj nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërkohë janë zhvilluar tetë takime në mes të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pa asnjë rezultat

Takimet mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përfunduan pa rezultate rreth formimit të një qeverie të re.

LDK hodhi poshtë ofertën e fundit të Vetëvendosjes që në këmbim të postit të kryetarit të parlamentit, në të cilin Glauk Konjufca ishte zgjedhur, LDK do të merrte një ministri shtesë.

Kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka shkruar në profilin e tij në Facebook më herët se zgjidhja ishte në duart e Vetëvendosjes, ndërsa sot lideri i LDK-së, Isa Mustafa e përsëriti të njëjtën, pas takimit me ambasadorin amerikan Philip Kosnett.

Takimi tjetër, i nëntë mes Kurtit dhe Mustafës, nuk është planifikuar, dhe nuk dihet ende nëse do të zhvillohet, kjo mbetet për tu parë.

“Tani për tani, nuk ka agjendë për një takim midis liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe liderit të LDK’së, Isa Mustafa”, tha zëdhënësi i VV’së Arlind Manxhuka.

Ndërsa, Vetëvendosje po pret një vendim nga organet e LDK për ofertën e tyre të fundit.

Mirëpo, Hoti beson se takimi i radhës mes Kurtit dhe Mustafës mund të mbahet nëse Vetëvendosje ofron një marrëveshje të pranueshme për LDK-në.

“Ne jemi të interesuar për takimin, por vetëm takimin për hir të marrëveshjes, e jo takimin për hir të takimit”, tha Hoti.