Lajme

Telefoni i gjetur nga taksisti, si u zbulua vendi ku ishte vrarë biznesmeni Ruzhdi Hoxha

11/07/2021 12:57
nga:Gazeta Blic

Telefoni i biznesmenit Ruzhdi Hoxha çoi në gjetjen e trupit të tij të pajetë dje në Dajt. Mësohet se telefoni i viktimës ishte gjetur përtokë në zonën pranë shkollës së Bashkuar, nga një taksist.

Ky i fundit mësohet se e kishte shitur celularin në një servis telefonash në kryeqytet. Bëhet e ditur se telefoni, duke qenë se nuk kishte pin, një nga teknikët e servisit kishte bërë me të një thirrje telefonike.

Ka qenë pikërisht kjo telefonatë që sinjalizoi policinë, e cila lokalizoi vendin e servisit dhe e sekuestroi atë si provë materiale. Sipas news24, pasi u identifikua taksisti, ai kishte deklaruar dhe vendin se ku e kishte gjetur, dhe nga ky moment policia filloi kërkimet në zonën e Dajtit.

Nga lëvizja e telefonit të viktimës, policia zbuloi dhe vendin ku ishte vrarë dhe mbuluar me zhavor e gurë Ruzhdi Hoxha. Kujtojmë se si i dyshuar për krimin është arrestuar Ferdinand alias Fredi Rrushi.