Sporti

Të pamposhturit luajnë sot në stadiumin e qytetit në Gjilan

07/08/2020 09:26
nga:Lorik J

Sot fillon xhiro e 29-të e Superligës së Kosovës në futboll dhe në kuadër të ditës së sotme luhet derbi i kësaj jave.

Padyshim se ndeshja më e rëndësishme e kësaj xhiroje është ajo mes Gjilanit dhe Prishtinës, që luhet sot me fillim nga ora 17:00 në stadiumin e qytetit në Gjilan, raporton GazetaBlic Sport.

Skuadra e Mezanit dhe Dallkut kanë synim të njëjtë këtë stinor, që është titulli i kampionit.

Prishtina është katër pikë largë kreut të tabelës, ndërsa Gjilani gjashtë pikë. Megjithatë ka akoma pikë në lojë dhe mundësi që ky synim i skuadrave të bëhet realitet.

Që nga rikthimi i futbollit pas pauzës pothuajse tre mujorshe si pasojë e pandemisë, COVID-19, as Gjilani e as Prishtina nuk e kanë shijuar humbjen.

Prishtina ka luajtur më shumë dhe ka rezultate më bindëse, megjithatë edhe Gjilani ka zhvilluar paraqitje të mira duke mos lejuar humbjen.

Prishtina që nga 2 qershori, kur edhe është rikthyer futbolli ka luajtur tetë ndeshje, prej të cilave ka fituar 7 duele dhe ka barazuar vetëm ndaj Llapit.

Kryeqytetasit kanë arritur të mposhtin tri herë ekipin e Drenicës, dy herë në DigitAlb Kupë e një herë në Superligë dhe gjithashtu kanë arkëtuar nga tre pikë ndaj Vushtrrisë, Ferizajit, Dukagjinit dhe Feronikelit.

Në anën tjetër, Gjilani që nga rikthimi i futbollit ka luajtur gjashtë ndeshje, ku numëron katër fitore dhe dy barazime.

Gjilani ka fituar ndaj Ferizajit, Vushtrrisë, Dukagjinit e Feronikelit, ndërsa është ndalur me barazim ndaj Llapit e Trepçs 89.

Se a do ta shijojë ndonjëra skuadër humbjen pas rikthimit të futbollit në vendin tonë, atëherë mbetet të shihet sot nga ora 17:00…

/GatzetaBlic Sport.