Lajme

Të hënën mbahet seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës, ky është rendi i ditës

09/29/2021 12:27
nga:M K

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të hënën në seancën plenare të radhës.

Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga kryekuvenari Glakuk Konjufca, me prezencë të përfaqësuesve të grupeve parlamentare.

Fillimisht do të votohet për Raportin vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2020, pikë kjo e papërfunduar në seancën e 12 gushtit, për të filluar më pas me seancën e re.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë Projektligjin për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes së bashkëfinancimit për Projektin “Programi mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale faza (dalëse) VI’, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës, si dhe atë për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – Financim shtesë”, në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Në vijim pritet shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-003 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-057 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të vijuar me shqyrtimin e parë të Projektligjit nr. 08/L-029 për punimet nga metalet e çmuara.

Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2021 – 2025, do të jetë pikë e radhës, e cila do të pasohet me Planin e Veprimit për zbatimin e fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës-Agjendës për Reforma Evropiane.

Dy raporte me rekomandime do të jenë në vijim të kësaj seance: raporti me rekomandime në lidhje me Raportin e auditimit të performancës “Transparenca dhe llogaridhënia në procesin e financimit të organizatave joqeveritare”, dhe ai për Raportin e auditimit të performancës “Parandalimi dhe reagimi i situatave emergjente: Vërshimet”.

Seanca do të mbyllet me formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të ankesave të mediave.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia vendosi të rishpallë konkursin publik për shtatë anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

Seanca do të fillojë nga ora 10:00.