Lajme

Të gjitha vendimet që u morën sot në mbledhjen e Qeverisë Kurti

05/07/2021 18:17
nga:M K

Zyrja e kryeministrit të Kosovës, përmes një komunikate dërguar mediave, ka publikuar të gjitha pikat e diskutuara në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Për disa nga vendimet kryesore ne veçse kemi raportuar në kohë reale, ndërsa më poshtë gjeni të gjithë procesverbalin, që nga hapja e mbledhjes nga ana e kryeministrit e deri te përfundimi i saj, përcjell GazetaBlic.

Më poshtë edhe njoftimi i plotë nga departamendi për medie brenda zyrës së kryeministrit.

E drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 11-të të rregullt, në të cilën ka miratuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021 – 2025 dhe vendime tjera të përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria në mbledhjen e saj të sotme ka miratuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021 – 2025 bashkangjitur me shtojcat: Programi Legjislativ për vitin 2021 dhe Planet Strategjike dhe Operacionale të Ministrive.

Programi i Qeverisë pasqyron qasjen dhe parimet që do të ndiqen përgjatë qeverisjes, sikurse dhe prioritetet themelore dhe iniciativat që do të merren për të përmirësuar gjendjen në vend, në të gjitha fushat.

Qeveria synon të fokusohet në dy prioritete themelore dhe më urgjente:

Menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, duke synuar që të minimizohen pasojat në shëndetin publik dhe
Lehtësimin e pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia, të cilat kërkojnë mobilizimin e potencialit shtetëror.
Vendimi për miratimin e Programit Qeverisës obligon që Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021 – 2025 të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ka marr miratimin në mbledhjen e sotme edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për masa të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Në Vendimin Nr. 01/07, të datës 18.04.2021, shtohen pikat si në vijim:

3A. Ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës për personat që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut.

3A.1 Shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut duhet të karantinohen në shtëpitë (vendin e banimit) e tyre për katërmbëdhjetë (14) ditë duke u testuar dy herë në javë.

3A.2 Pika 3A.1 nuk vlen për shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët qëndrojnë transit (më pak se 48 orë) në shtetet e përcaktuara në pikën 3A.1 të këtij vendimi.

3A.3 Diplomatët e huaj si dhe familjarët e tyre përjashtohen nga fushëveprimi i pikës 3A të këtij vendimi.

Udhëzohen Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Ministria e Punëve të Brendshme të marrin vendimet dhe veprimet e nevojshme në përputhje me fushat e përgjegjësisë administrative të tyre me qëllim të zbatimit të këtij Vendimi.

Plotësimi dhe ndryshimi është bërë duke marrë parasysh situatën aktuale epidemiologjike në botë, shfaqjen e varianteve të reja të COVID-19, në Indi, Brazil dhe Afrikë të Jugut, rrezikun e bartjes së varianteve të reja nga udhëtimet prej këtyre shteteve, prandaj për parandalimin e ardhjes së varianteve të reja u vendos si në diapozitiv të këtij vendimi.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin me të cilin i delegohet kompetenca e Qeverisë së Republikës së Kosovës e përcaktuar me paragrafin 3 të nenit 14 të Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 tek Ministria e Shëndetësisë, ekskluzivisht për procesin e pagesës së furnizimit me vaksinat për COVID-19, nga prodhuesit – operatorët ekonomik më të cilët arrin marrëveshje Ministria e Shëndetësisë, në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi. Vendimi autorizon Ministrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, që bashkërisht të caktojnë lartësinë e paradhënies së aplikueshme dhe aprovojnë pagesat në emër të paradhënies, sipas pikës 1. të këtij vendimi, e kufizuar në ndarjet buxhetore.

Ky autorizim është i vlefshëm deri në nëntor të vitit 2021, kur sipas paragrafit 4, të nenit 14. të Ligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, paradhëniet kufizohen në 10%, përkatësisht 5%.

Ka marr miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për aprovimin në parim të nismës për lidhjen e marrëveshjes “Njohja e kualifikimeve akademike” mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor: Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit do të formojë Grupin Negociator për finalizimin e marrëveshjes në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për zbatimin e sanksioneve të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me masat restriktive bazuar në situatën në Mianmar/Burma, ndaj tridhjetë e pesë (35) zyrtarëve dhe dy entiteteve nga Mianmar/Burma, të përfshirë në abuzimin dhe shkeljen e rëndë të të drejtave të njeriut në këtë vend. Masat përfshijnë ngrirjen e aseteve të individëve dhe entiteteve të sanksionuara në Republikën e Kosovës; ndalimin e udhëtimit për individët e sanksionuar; dhe ndalimin e vënies në dispozicion të fondeve, në mënyrë direkte apo indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara.

Në vazhdim të mbledhjes është miratuar edhe vendimi për rialokimin e mjeteve në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal për implementimin e projekteve dhe propozimeve të komunave. Programi për Zhvillimin Rajonal synon të përkrahë programet zhvillimore në pesë rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës dhe ka një shumë prej 1.200.000 euro. Është objektiv i vendimit që të mbështeten projektet e investimeve kapitale të cilat kontribuojnë në zhvillimin socio-ekonomik të rajoneve në vendin tonë.

Me propozimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qeveria ka miratuar vendimin që të lirohen nga obligimi për pajisje më Leje Pune Afatshkurtër për të huajt, shtetasit e Republikës së Shqipërisë që janë me qëndrim të ligjshëm në territorin e Republikës së Kosovës, e të cilët gëzojnë të drejtën e punës dhe vetëpunësimit. Sipas vendimit, të drejtat dhe detyrimet e të liruarve do të rregullohen sipas legjislacionit përkatës në fuqi dhe janë të njëjta me ato të shtetasve të Republikës së Kosovës.

Përmes një vendimi është plotësuar dhe ndryshuar vendimi për themelimin e Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, sipas të cilit në këtë Këshill do të bëjnë pjesë edhe Naim Bardiqi, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Rozafa Ukimeraj, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Mbrojtjes.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim shtesë për interes publik të pronave të paluajtshme dhe zotëruesve të interesit për pronat të cilat preken nga realizimi i projekteve infrastrukturore rrugore që janë në ndërtim, si në vijim:

1. Zgjerimi i Rrugës Nacionale R N2, segmenti “Hyrja në qytetin e Ferizajt;

2. Zgjerimi i Rrugës Nacionale R 107, segmenti “Hyrja në qytetin e Prizrenit”;

3. Zgjerimi i Rrugës Nacionale N25.2, “Hyrja në qytetin e Gjilanit; dhe

4. Rehabilitimi i Rrugës Nacionale N25.3, segmenti “Kllokot – Gjilan”

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e 11-të të Qeverisë

I nderuar Zëvendëskryeministër Bislimi,

E nderuara Zëvendëskryeministre Gërvalla,

E nderuara Zëvendëskryeministre Rexhepi,

Të nderuar Ministria,

Gjatë muajit prill kemi punuar bashkërisht për të identifikuar dhe qartësuar prioritetet për mandatin qeverisës.

Programi i Qeverisë është dokumenti themelor, me të cilin Qeveria komunikon vizionin e saj para qytetarëve të Republikës së Kosovës, për qeverisjen gjatë mandatit të saj.

Programi i Qeverisë pasqyron qasjen dhe parimet që do të ndiqen përgjatë qeverisjes, sikurse edhe prioritetet themelore dhe iniciativat që do të merren për të përmirësuar gjendjen në vend, në të gjitha fushat.

Qeveria synon të fokusohet në dy prioritete më urgjente:

1. menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, duke synuar që të minimizohen pasojat në shëndetin publik, dhe

2. lehtësimin e pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia, të cilat kërkojnë mobilizimin e potencialit shtetëror.

Menaxhimi i pandemisë është duke u bërë në shumë fronte, megjithatë me prioritet për Qeverinë tonë mbetet sigurimi sa më i shpejtë i vaksinave. Jemi duke punuar dhe tashmë janë konfirmuar një numër solid i tyre. Shumë shpejt do të sigurojmë edhe doza të tjera të vaksinave, në mënyrë që deri në fund të vitit të sigurojmë imunizimin e 60% të popullatës.

Rikthimi i ekonomisë në gjendje normale është sfida tjetër me të cilën po përballemi. Masat që do të ndërmarrim do të mbështesin personat që kanë humbur vendet e punës, të punësuarit për herë të parë dhe bizneset.

Daljen nga pandemia e shohim si mundësi për të ri-orientuar ekonominë drejt prodhimit e eksportit, drejt rritjes së punësimit të dinjitetshëm për të gjithë, si dhe drejt një zhvillimi të qëndrueshëm që mbron ambientin edhe për gjeneratat e ardhshme.

Zotimet tona për krijimin e Bankës Zhvillimore dhe Fondit Sovran, do t’i realizojmë deri në fund të mandatit, kurse vitin e ardhshëm do të shuhet Agjencia Kosovare e Privatizimit, i cili e dimë se është viti i parë i Qeverisë sonë, me buxhetim sipas programit tonë.

Po ashtu, Programi i Qeverisë pasqyron, orientimet e përgjithshme të Qeverisë, sa i përket agjendës së integrimit evropian dhe politikës së jashtme. Ne do të aplikojmë me kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Si prioritet kryesor yni për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit, është luftimi i krimit dhe korrupsionit, transformimi ekonomik dhe social i vendit nëpërmjet një qeverisje që synon përfshirjen sociale dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët i kanë dhënë mbështetjen maksimale orientimit tonë që vë në krye të qeverisjes sonë: drejtësinë dhe punësimin.

Po paraqes disa prej premtimeve dhe përmbajtjes kryesore të Programit tonë:

– Do të ndërmarrim vetting në drejtësi e prokurori dhe pozitat e larta në polici dhe inteligjencë.

– Nuk do të ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme, sepse do të reformojmë skemat sociale dhe do të aktivizojmë fuqinë punëtore.

– Do të rishikojmë skemat e asistencës dhe do të reformojmë sistemin pensional.

– Do të sigurojmë shtesa për fëmijët, punësim të garantuar sezonal për një anëtar të familjes dhe rimbursim për familjet e varfëra.

– Do të ndërtojmë 160 çerdhe të reja për fëmijë anembanë Kosovës.

– Do të mundësojmë banim të përballueshëm social për 4 mijë familje me skemat 120×120 dhe 150×150.

– Përmes rritjes së pagës minimale në 250 euro për 40 orë pune në javë dhe ngritjes së pragut të pagës, që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, do të sigurohemi që ata që kanë paga më të ulëta, të kenë më shumë para në xhep në fund të muajit.

– Do ta përmbyllim zhvillimin e sistemit informativ shëndetësor dhe do të fillojmë rritjen e fondit të sigurimeve shëndetësore.

– Deri në fund të mandatit do ta përmbyllim reformën e administratës publike.

– Do të zbatojmë diversifikimin e burimeve të energjisë, asetet strategjike do t’i mbështesim, ndërsa “Trepçën” do ta bëjmë ndërmarrje fitimprurëse.

-Do t’i trajtojmë me prioritet mbrojtjen e resurseve natyrore dhe të mjedisit, si edhe efiçiencën e energjisë.

-Deri në fund të mandatit do të angazhohemi për qasje në ujë të pijshëm gjithandej. Po ashtu, të zgjidhet problemi me ujëra të zeza në Kosovë.

– Në infrastrukturë do të mundësojmë finalizimin e lidhjeve kyçe, dhe ndërtimin e aksit Prizren-Tetovë.

– Do ta ndërtojmë Parkun Tekno-Industrial më të madhin në rajon.

– Reforma e arsimit do të trajtohet me prioritet, nga arsimi parashkollor, duke synuar që deri në fund të mandatit të fillojë zbatimit i sistemit dual të edukimit;

– Zhvillimi bujqësor i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, duke mbështetur fermerët, do të jetë prioritet me qëllim të rritjes së produktivitetit dhe zhvillimit rural. Do ta transformojmë rrënjësisht sektorin duke eliminuar keqpërdorimet dhe duke ndërtuar ekonomi të qëndrueshme dhe siguri në ushqim.

– Pjesë integrale e planit tonë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik janë edhe mërgata jonë. Përmes krijimit të instrumenteve për investim, do të sigurohemi që kapitali i mërgatës sonë do të kanalizohet në investime që krijojnë vende pune. Prandaj duke filluar nga ky vit, do të emetohen bono thesari të dedikuara vetëm për mërgatën.

– Siguria dhe shëndeti në punë, do të trajtohet me prioritet – deri në fund të mandatit do të ketë pesëfishim të inspektorëve të punës.

– Do t’u mundësojmë autonomi për investime kapitale komunave nëpërmjet Grantit të Katërt, ku do të vendosen kriteret profesionale të cilat i mundësojnë komunave të konkurrojnë me idetë dhe projektet e tyre për zhvillim të gjithanshëm.

– Do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi në Kartën e Adriatikut.

– Do të bëjmë dialog parimor, të përgatitur e të barabartë me Serbinë me marrëveshje të njohjes së ndërsjellë.

– Do të afrohemi dhe bashkëpunojmë ngushtë me Shqipërinë.

– Do ta përgatisim padinë për gjenocid ndaj Serbisë në GJND.

– Do të jemi të aftë për mbrojtje e sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe do të bëjmë mbikëqyrje demokratike e civile e FSK-së

– Do të punojmë me përgjegjësi institucionale, llogaridhënie të vazhdueshme, kompetencë profesionale, ndershmëri qytetare, transparencë radikale, disiplinë organizative, si disa nga vlerat e qeverisjes sonë.

– Do të zhvillojmë prioritetet për zhvillim gjithëpërfshirës nëpërmjet Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, e cila pritet të miratohet deri në fund të vitit dhe do të përfshijë adresimin e sfidave në të gjithë sektorët e politikave publike.

Këto prioritete do të zbatohen brenda kufijve buxhetorë, ku si rrjedhojë Programi do të rishikohet çdo fillimvit financiar përmes Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, për t’u përditësuar me sfidat dhe mundësitë e reja brenda koordinatave të politikave qeverisëse.

Falënderoj zëvendëskryeministrat, ministrat dhe ekipet e tyre, si dhe Zyrën per Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit, që kanë punuar në këtë Program parreshtur këto javët e fundit.