Lajme

Të fuqishmit përçajnë PDK-në e Drenicës

01/24/2018 10:31
nga:FL.B

Skenderaj për vite me radhë dëshmoi se është bastion i fuqishëm i Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo parti, atje, në zgjedhje bëhej aq shumë ‘senzibilizuese’ sa që tejkalonte numrin e paraparë të votave, duke u votuar për 90 për qind.

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, qëndroi për vite me radhë në burg, pasi ishte dënuar në vitin 2015 me 12 vjet burg nga shkalla e parë e Gjykata Themelore në Mitrovicë për një vrasje të kryer në vitin 1998, edhe pse nuk dihej kush ishte vrarë, vitin e kaluar Gjykata e Apelit e dënoi Lushtakun për përgjegjësi komanduese me 7 vjet burg.

Sido qoftë, Lushtaku nga burgu u “mundua të komandonte komunën”, mirëpo në zgjedhjet e fundit lokale, të 22 tetorit, kjo parti nuk mori pjesë gjoja duke respektuar kandidimin e djalit të ish-komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, Bekim Jashari.

Tani, me të dalë nga burgu Lushtaku si kryetar i degës së PDK-së në Skenderaj, ka filluar t’i dënoi ata që po i quan të papërgjegjshëm për punët e partisë. Dje, ai ka shkarkuar nga detyra nënkryetarin e PDK-së në Skenderaj, Bakim Haxhiun dhe shtatë anëtarët të tjerë.

Me të dëgjuar këtë lajm, Haxhiu, i njohur si ‘Kamishi’, ka reaguar duke thënë se Lushtaku nuk mund të marr vendime për të, pasi ato nuk kanë kurrfarë peshe për të, andaj ai do vazhdojë të jetë në pozitën ku ishte para shkarkimit.

“Mua mundet të më shkarkoj vetëm qytetari. Ai vendim i Sami Lushtakut po me vjen keq me thënë por është i barabartë me zero. Kurrfarë efekti juridik e kurrfarë peshe për mua nuk ka. Ai vetëm e ka treguar frikën e tij për shkak të zgjedhjeve të brendshme që i kemi në parti, karakterin e tij”, u shpreh Haxhiu mbrëmë (e martë) për lajmi.net.

Si Lushtaku ashtu edhe Haxhiu e cilësojnë vetën të plotfuqishëm në Drenicë. Bile, Haxhiu ia kujtoi, Lushtakut se “jam deputeti i vetëm, që tri mandate, më i votuari në Komunën e Skenderajt”.

Mirëpo edhe Lushtaku i tha se është kryetari i degës dhe vendimet e tij janë definitive për të gjithë, megjithatë për Insajderin ai tha se vendimi për shkarkim është marrë për shkak se të shkarkuarit kanë ndikuar në përçarje brenda partisë.

“Është vendim i Kryesisë së partisë. Ka ndikuar për përçarje në Partinë Demokratike të Kosovës, në Skenderaj”, ka thënë Lushtaku.

Të ‘plotfuqishmit’ e PDK-së do të vazhdojë t’i kundërvihen njëri-tjetrit, por kush do t’i ndalë ata, a do të mund të ndikojë kjo mosmarrëveshje mes tyre që partia të përçahet në këtë degë, por a ndikon që të përçahet e gjithë PDK-ja në Drenicë?!

Lajmi.net ka provuar të kontaktojë me deputeten e PDK-së nga Skenderaj, Ganimete Musliu, mirëpo ajo nuk ishte në gjendje të komentojë gjendjen brenda degës së partisë, vetëm tha se nuk ka kurrfarë përçarje në PDK-në e kësaj komune.

Kujtojmë, se Haxhiu tha se Sami Lushtaku po tenton që në krye të PDK-së në Skenderaj ta sjellë djalin e tij, Mërgim Lushtakun./Lajmi

09/17/2019 00:51

Pacolli e krahason Enver Hoxhajn me Ivica Daçiqin