Lajme

Taulant Kryeziu: Brenda këtij mandati synojmë të aplikojmë për status të kandidatit në BE

02/11/2020 00:10
nga:Gazeta Blic

Zëvendësministri i Integrimeve Evropian, Taulant Kryeziu, ka thënë se agjenda evropiane është një nga prioritetet e Qeverisë Kurti.

Ai ka thënë se janë të interesuar të përfundojnë agjendën evropiane të reformave, duke shtuar se një e tillë është dashur të jetë qysh moti e përfunduar.

Kryeziu në Interaktiv të KTV-së ka thënë se duhet respektuar parimi i ligjshmërisë brenda institucioneve dhe duhet përdorur të gjitha resurset që ka Kosova për të përmbushur agjendën evropiane.

Ai thotë se të gjitha veprimet e kundërligjshme që janë marrë nga qeveria e kaluar do të rishikohen.

Sipas tij, zotim i tyre është që gjithë studentet që vijnë nga bursa Young Cell Scheme do të jenë të punësuar brenda institucioneve të Kosovës.

Duke folur për liberalizimin e vizave, Kryeziu ka thënë se teknikisht ka rekomandim për liberalizim nga ana e komisionit, por se sundimi i ligjit është pengesa e parë që është vënë në pah.

“Ne duhet të japim shembuj dhe ta kthejmë besimin, të fillohet një kampanjë për bindje të vendeve hezituese më rezultate konkrete. Ne duhet t’i sigurojmë ata që çështja e lëvizjes së lirë nuk do të keqpërdoret. Unë mendoj që ky do të jetë fokusi jonë kryesor. Rritja e zbatimit të marrëveshjes së MSA-së është prioritet i jonë, ERA 1 do të përfundohet brenda vitit dhe do të përgatitemi për përfundimin e ERA 2-shit”, ka thënë ai.

Ai thotë se rishikimi i një numri të madh të vendimeve të kundërligjshme që janë marrë nga qeveria e kaluar. tregon se kjo qeveri e ka parësore sundimin e ligjit.

Kryeziu thotë se vetingu gjithashtu do të jetë një nga prioritetet e qeverisë.

Ai ka thënë se synim i qeverisë është që gjatë këtij mandati të aplikohet për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

“Do të krijojmë ambient ku prokurori do të ndihet zot i punës së tij dhe të mos shqetësohet që presidenti apo kryeministri mund t’i thërras”, ka thënë ai.

Ai thotë se është koha e realizimit të premtimeve që kanë dhënë karshi elektoratit.

Duke folur për taksën ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës, ai ka thënë se ajo do të zëvendësohet me reciprocitet, të cilën ai e quan masë më gjithëpërfshirëse.

“Ne do ta rrisim elementin e fuqizimit të shtetësisë së Kosovës karshi Serbisë. Kjo masë do të rregullohet në mënyrë që të ketë edhe mbështetjen ndërkombëtare. Ne nuk kemi marrë një vendim zyrtar për këtë çështje, jemi duke i marrë vendime konkrete. Ne do ta vendosim atë sepse ky ka qenë vendim elektoral me të cilin ne i kemi fituar zgjedhjet”, ka thënë ai.

Sipas tij, roli i opozitës në procesin e dialogut është jetik.

Ai thotë se taksa nuk duhet të përdoret për qëllime elektorale.

“Deri tash procesi i zgjerimit ka pas një element evropian. Komisioni evropian ka qenë trupa kryesore, tanimë vendet anëtare pas problemeve të vazhdueshme që kanë pas kanë kërkuar rolin e tyre në këtë proces. Metodologjia e re e zgjerimit është e tillë që e rrit fuqinë e vendeve anëtare dhe e ndan procesin e zgjerimit në grupe të caktuara. Çdo gjë gjatë këtij rrugëtimi varet nga sundimi i ligjit”, ka thënë ai.

Sipas tij ky është proces që do të shikohet në mënyrë të stërholluar.

Ai thotë se për ta fituar statusin e vendit kandidat duhet një konsensus i të gjitha vendeve të BE-së.

Kryeziu thotë se qeveria e kaluar ka qenë shumë e dobët në përmbushjen e kritereve dhe plotësimin e detyrave të dhëna nga BE-ja.

Duke folur për stabilitetin e qeverisë, ai ka thënë se dy partitë kryesore të opozitës së atëhershme janë pjesë e pozitës së tashme.

“Diskutimet mes dy partive kanë shkuar shumë mirë. Mendoj që ka dhe do të ketë një stabilitet, por gjithnjë duke ruajtur gjuhën e bashkëpunimit me opozitën. Ne duhet ta shterim çdo rrugë që opozita të jetë bashkë me neve përballë Serbisë. Unë e kuptoj që PDK pas një kohe ka humbur zgjedhjet, por më mirë është që të bëhet opozitë me ide”, ka thënë ai.

03/24/2020 16:23

Thaçi: Fatkeqësisht, BE-ja po vazhdon ta diskriminojë Kosovën