Lajme

Taksë a reciprocitet? – Përgjigjet Ramiz Kelmendi dhe ka një këshillë për Albin Kurtin

02/28/2020 22:34
nga:A. R.

Biznesmeni dhe ish-politikani, Ramiz Kelmendi, është shprehur i zëshëm kundër vendosjes së reciprocitetit ndaj Serbisë, ashtu sic pretendon kryeministri Albin Kurti.

Në dokumentarin “Expose” të Gazetës Blic, Kelmendi shprehet që reciprociteti nuk është më i ashpër se taksa prej 100% ndaj mallrave serbe.

Madje, ai thotë se tanimë kur reciprociteti është duke u kundërshtuar nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atëherë kjo gjë nuk duhet asesi të implementohet.

Tutje, Kelmendi thotë se asnjë vendim nuk mund të merret nga ana e shtetit të Kosovës, nëse kjo nuk është në përputhje me vullnetin amerikan, shkruan Gazeta Blic.

“Nëse mendon dikush që reciprociteti është më i ashpër se taksa, ajo është vec deklaratë politike. Nga këndi politik e kisha ftu qeverinë që mos merrni vendime që nuk e kanë mbështetjen e SHBA-së. Nuk mund të bëhet asnjë gjë dhe nuk duhet të bëhet nëse kundërshtohet nga Amerika. Ne e kemi obligim që ti bindim ata që e ardhmja jonë politike dhe territoriale është në duart e tyre”, ka thënë Kelmendi.