Ditën e sotme qarkulluan lajme në media se kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj, ka zhvilluar takim me Kryeministrin në detyrë të vendit, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kështu u bë e ditur nga burime të Kanal10 të cilat theksuan se arsye e takimit ka qenë mundësia e krijimit të një koalicioni qeveritar.
Sipas të njëjtave burime, Kurti ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me tre deputetët e Nismës.
“Gazeta Blic” ka provuar të marrë një qëndrim nga të dy subjektet politike, në lidhje me takimin në fjalë, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm në thirrjet e redaksisë tonë.
I vetmi i cili i është përgjigjur thirrjes së “Gazeta Blic”, ka qenë zyrtari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Matoshi, i cili u përgjigj shkurt ‘jam jashtë Kosove’.
Pasditen e 27 Marsit, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sipas këtij rezultati, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave, duke i siguruar 48 mandate në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 vende në Kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë.
Asnjëra nga subjektet politike nuk ka siguruar numrin e nevojshëm të votave për t’a formuar e vetme Qeverisë, ç’ka lindi nevojën për koalicione.
I pari që u shpreh ‘pro’ një bashkëpunimi me të gjitha subjektet politike, që vendi të mos shkojë në krizë, ishte kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj.
“Kush të më fton në tavolinë, unë shkoj, ulna, për Kosovën. Pikë. Unë shkoj ulna për tema nacionale, s’është me rëndësi pozicionet… Çka po të vyen një qeveri jofunksionale, s’më ke mua në një qeveri jofunksionale kurrë, nuk hi. Një qeveri që është kundër interesave të Kosovës, nuk futem” – ka deklaruar Limaj pas zgjedhjeve në Debat Plus raporton “Gazeta Blic”.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thirrur seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datën 15 prill.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025” u njoftua nga Presidenca raporton “Gazeta Blic”.
Me afrimin e afateve kushtetuese për formimin e institucioneve filluan edhe lëvizjet konkrete nga VV-ja për sigurimin e numrave të nevojshëm prej 61 deputetësh për krijimin e institucioneve.
Të parët të cilët Kurti thirri në takim ishin përfaqësuesit e partive jo-shumicë.
Disa nga ata konfirmuar votën pro ‘Qeverisë Kurti3’ e disa të tjerë patën kushte.
Duda Balje nga Bashkimi Social Demokrat dhe Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, nuk ia ka dhënë konfirmimin Kurtit nëse do ta mbështesin për mandatin e tretë pa u plotësuar disa nga kërkesat e tyre.
E menjëherë pas këtyre takimeve, që s’i duket vota e të gjithëve nuk është e sigurtë, Kryeministri Kurti raportohet se ka takuar Kryetarin e Nisma-s, Fatmir Limaj.
Si si do të rrjedhin ngjarjet, çfarë do të negociohet kush-kë dhe çfarë pozicioni merr, mbetet të shihet në ditët në vijim.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit me 48 mandate,por, të pamjaftueshme për formimin e vetëm të Qeverisë ku nevojiten së paku 61 vota.
/Gazeta Blic/