Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deponuar sot në Kuvend tri kërkesa për debate parlementare për gjendjen alarmante të pandemisë në Kosovë.
Tahiri tha se debati i parë që do të mbahet do të jetë për dështimin e qeverisë për sigurimin e vaksinave anti covid. Ai tha se ka qenë premtim i Albin Kurtit që brenda këtij viti do të vaksinohet 60 përqind e popullsisë, por qeveria e tij nuk i ka siguruar deri më sot as edhe 60 vaksina të vetme.
“Kosova vazhdon të jetë në hartën e vendeve të fundit në botë sa i përket vaksinimit, dhe kjo paraqet jo vetëm shqetësim por edhe rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve tanë”, tha Tahiri.
Kreu i deputetëve të PDK-së tha se debati i dytë parlamentar do të mbahet për organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në këto rrethana pandemie.
“Viti që lamë pas, fatkeqësisht ishte vit i humbur për sistemin tonë arsimor. Nuk mund ta pranojmë që edhe viti 2021, të jetë një vit i humbur për arsimin dhe për gjeneratat e nxënësve që vijojnë shkollimin në çdo nivel. Kjo nuk është temë e rëndomtë. Po flasim për rreth 345 mijë nxënës në arsimin para universitar, 23 mijë mësimdhënës të cilët sot kanë mbetur pa një plan konkret, pa mbështetje dhe pa mjete për ta realizuar agjendën e arsimit në vend”, tha Tahiri.
Tema e tretë që PDK do të kërkojë të debatohet në Kuvend është gjendja e rënduar ekonomike nga pandemia.
“Nuk kemi parë asnjë plan konkret dhe asnjë ide konkrete se si qeveria Kurti do t’i menaxhojë pasojat e pandemisë në ekonomi. Nuk kemi kuptuar se çfarë do të ndodhë me Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike që është miratuar në Kuvendin e Republikës. Aktualisht kemi rreth 60 mijë qytetarë të papunë dhe mijëra biznese që kanë falimentuar gjatë pandemisë. Nuk mund të presim që ekonomia, bizneset dhe ndërmarrësit të mbesin në disponimin ditor e javor të kryeministrit apo ministrit të shëndetësisë të cilët vendosin kuturu ta mbyllin vendin për një javë e për dy javë, pa pasur një plan konkret për menaxhimin e pasojave ekonomike të kësaj mbyllje”, tha Tahiri.
Ai tha se kjo nuk është betejë politike përballë qeverisë, por adresim i temave që lidhen me fatin e përditshëm të qytetarëve.
“Qytetarët paguajnë taksa, në mënyrë që qeveria me taksat e tyre të ofrojë zgjidhje për probleme si këto. Nuk ka prioritet më të madh sot për sot, sesa mbrojtja e jetës përmes vaksinimit, mbështetja e ekonomisë përmes subvencionimit, dhe ruajtja e gjeneratave përmes sigurimit të arsimit”, tha Tahiri.