Sporti

Tahir Batatina: Ky vit ishte shumë i suksesshëm për mua si trajner, kam patur tre oferta nga klubet e huaja – te Kosova do bëja revolucion ashtu sikurse te Llapi

12/31/2023 19:13
nga:E K

Trajneri kosovar, Tahir Batatina në një intervistë për GazetaBlic Sport u shpreh i lumtur me përfundimin e këtij viti duke e cilësuar vitin 2023 si vit mjaftë të suksesshëm për të në rrafshin profesional.

“Viti 2023 për mua ishte i suksesshëm nëse e shohim riorganizimin e klubit të Llapit se çfarë niveli kemi arritur. Mendoj që kam nxjerrur lojtarë të ri dhe të kem skuadër shumë solide për Evropë dhe për luftën për titull. Pjesa më e mirë për mua ishte kur lojtarët e Llapit debutuan në Kombëtaren e Kosovës si Iliri, Muhameti e Gashijani. Kjo tregon se çfarë pune profesionale kam bërë në këtë vit. Poashtu veç kam filluar licensimin për licensën Pro të UEFA-s që është shkollimi më i lartë për trajnerë që më është dashur ta kem për ta marrë Kombëtaren apo klube evropiane. Nuk dua ta mbajë të fshehur, në momentin kur kam marrë licensën Pro kam pasur 3 oferta me të cilat kam mund të shkoj në Evropë nga janari, por nuk kam pranuar për shkak të projektit që kam me Llapin. Në këtë vit kam pasur shumë sukses me skuadër mendoj që ka qenë një vit shumë i suksesshëm në aspketin profesional”, tha fillimisht Batatina për GazetaBlic Sport.

Tutje Batatina zbuloi se kishte tre oferta nga klubet e huaja pasi mori licensën Pro për trajner nga UEFA.

“Kam pasur në Azerbejxhan një ofertë për të cilën nuk kam pranuar, ka qenë ofertë zyrtare që ka ardhur në klub. Tjetra ka qenë edhe Astana që ka luajtur kundër Ballkanit, as atë nuk e kam pranuar. Më kanë kontaktuar u kam kërkuar që këtë vit edhe në këtë gjashtë-mujor nuk do të lëviz nga Kosova për shkak të sezonit që kam me Llapin. Sa i përket Kombëtares aty vendos FFK pjesa ime është që të jem i përgatitur për çdo moment për një hap të tillë kur të kam mundësinë. Ashtu siç kam bërë revolucion te Llapi kur më është dhënë mundësia e dini që do mund të bëjë revolucion edhe te Kombëtarja e Kosovës”, përfundoi trajneri i Llapit për GazetaBlic Sport.