Isa Mustafa është kryetar i LDK dhe Kryeministër i Kosovës në mandatin 2014- 2018. Lexoni lajmet, intervistat, komentet, temat
Isa Mustafa, lindi më 15 maj 1951 në Prapashticë, komuna e Prishtinës. I martuar me Qevsere Mustafën, ka një vajzë, Afërditën dhe dy djem, Arbenin dhe Besnikun. Jeton në Prishtinë nga viti 1956.
Ka doktoruar në shkencat ekonomike.
Dy mandate ka qenë Kryetar i Prishtinës, gjatë periudhës 2008-2013, ndërkaq në periudhën 2006-2008 ka qenë këshilltar i lartë për ekonomi i Presidentit të Kosovës.
Ka qenë nënkryetar i Institutit për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest”, anëtar i Bordit të Universitetit të Prishtinës, anëtar i Bordit të Bankës Qendrore dhe anëtar i Bordit të Universitetit Amerikan.
Në vitin 1990 është ndjekur nga pushteti serb dhe në ekzil ka qenë Ministër i Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë të Republikës së Kosovës, e cila ka vepruar në shtetet perëndimore deri në çlirimin e vendit, më 1999. Si Ministër i Financave ka punuar në sistemin e financimit të arsimit dhe të institucioneve pluraliste të Kosovës, të prira nga Presidenti dr Ibrahim Rugova, të cilat i kanë bërë rezistencë pushtetit serb.
Para kësaj periudhe katër vjet ka udhëhequr me ekzekutivin e Komunës së Prishtinës dhe rreth tre vjet ka qenë drejtor i Entit për Zhvillim të Kosovës.
Në nëntor të vitit 2010 është zgjedhur Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Më 9 Dhjetor 2014 është zgjedhur Kryeministër i Republikës së Kosovës, mbi bazën e koalicionit qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës – PDK dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës – LDK.