Opinion

Ta marrim shtruar – korrupsioni është këtu për të qëndruar

02/14/2020 12:18
nga:Ballsor Hoxha

Shkruan: Ballsor Hoxha

Korrupsioni, kjo fjalë që tanimë është vendosur si mjet pushteti ndaj tjetrit është i joni. I tërë shoqërisë sonë. Korrupsioni masiv në shoqërinë tonë është shprehje e paranojës masive. ai nuk është i gjetur. Ai është zhvilluar derisa kemi jetuar të gjithë këtu.

Por në tërë tragjedinë e kësaj, ai është përbrendësuar tanimë. Kudo ku kemi qenë dhe jemi, ai është përballë nesh. Por edhe ne jemi përballë tij. Dhe pikërisht duke e idealizuar përpjekjen e luftimit të tij ne krijomjë, hapërojmë në një paranojë të re.

Me gjithë respektin për lexuesin, dy perspektivat në vijim, janë perspektiva të shkruara si personalizim, mbi ndërthurjen e korrupsionit dhe të përpjekjes për një jetë më të mirë:

Perspektiva e parë:

Sa herë dal prej shtëpisë përballem me kamionë që bartin material ndërtimor, kamionë mixer që bluajnë beton. Humnera të thella, erozion të asfaltit, tokës dhe dezintegrim masiv. Zhurmë, kaos, bllokada të rrugëve, baltë dhe mbi të gjitha rrezik për jetë. Në një prej rrugëve më të ngushta dhe shumë të rëndësishme të Prishtinës, tek xhamia e Bregut të Diellit, janë hapur dy vendpunime gjigante të ndërtimit të lartë.

Pavarësisht lejes apo edhe anës ligjore, këto dy vendpunime për mua janë korrupsion. Është korrupsion i përpjekjes për një jetë më të mirë, apo thënë më saktë është devijim i përpjekjes për një jetë më të mirë. Fuqia e parasë ka shndërruar tërë realitetin tonë.

Perspektiva e dytë:

Jam me djalin tim katër vjeç përballë po të njëjtëve vendpunime. Bagera, mixerë të betonit, kamionë dhe ndërtesa që lartësohet për çdo ditë. Djali im sheh diçka tjetër. Është vetë vrulli i jetës që e sheh djali im. Është i fascinuar nga bagerat në aksion. Nga lartësimi i ndërtesave nga puna dhe vullneti. E pyes për atë që shikon, është i mahnitur nga mundësia që e sheh, nga përpjekja, nga vullneti dhe nga arritja.

Ne jemi dy botë, unë dhe djali im. Duke qenë e vërtetë e përhershme, naiviteti dhe me këtë sinqeriteti i pikëpamjes së fëmijës katër vjeçar si djali im, kjo shtron pyetjen nëse unë jam i korruptuar. I korruptuar për atë që shoh, në krahasim me djalin tim?

Sipas asaj që mund të njeh fëmija katër vjeçar (djali im katër vjeçar) këto vendpunime janë vetë vullneti i mirë i njeriut. Ajo që po ndodh në këto vendpunime është me të vërtetë përpjekje, dhe arritje e njeriut. Janë me të vërtetë zona vullneti të mirë. Janë zona të rikrijimit dhe ndërtimit të mundësisë.

E vërteta e asaj që sheh djali im, pikëpamja e djalit tim, më shtynë t’i konsideroj më hapur këto zona ndërtimi. Sipas asaj që vuaj, dhe gjithë banorët e kësaj ane, kjo nuk ka të bëjë me lejen e tyre, as nëse është e ligjshme, realitetin ynë tanimë është ndryshuar. Ligji në këtë është i parëndësishëm, i tejkaluar. Në të vërtetë këtu është i ndërthurur vullneti i mirë dhe korrupsioni. Kjo përpjekje, gjallëri që shënjon vullnetin, dhe atë vullnetin e mirë, edhe në mes të dimrit, në këto vendpunime është korrupsion i po të njëjtës. Është devijim i vullnetit të mirë, përpjekjes për një jetë më të mirë.

Problemi më i madh në tërë këtë ndërthurje të korrupsionit me vullnetin tonë të mirë, për jetë më të mirë, është që qytetarët e Kosovës i blejnë këto ndërtime. Ka edhe konkurrencë kush i blenë më parë. Kjo ka të bëjë me njohjen tonë, ndaj vullnetit të mirë, dallimit të vullnetit të mirë, dhe njohjen tonë përballë korrupsionit. Ajo që është më e rëndësishmja është se në shoqërinë tonë jemi të ndarë ndaj përballjes sonë me korrupsionin. E blejmë, hyjmë në borxhe dhe kredi, huazojmë dhe edhe vjedhim për të jetuar në këto ndërtesa. Aq më shumë nuk e shohim si korrupsion. Aq më shumë e shohim si mirëqenie.

Fëmija katër vjeçar është në fazën e njoftimit të tij me paktin e Kompleksit të Edipit, është në përfshirje në këtë pakt. Ai do të ndërtoj dhe do të jetë inxhinier i marrëdhënies së tij me këtë sistem dhe me këtë pakt. Dhe ajo që do të ndërtoj, ajo që është vetë ardhmëria e kësaj shoqërie, është vetë ajo që është në shoqërinë tonë. Do ta përbrendësoj dhe do ta shprehë. Si gjuhë, si psikë dhe si kognicion.

Njohja jonë, kognicioni jonë, dhe shprehja jonë përballë nesh në secilin hap, nuk mund të fshihen në idealizëm. Ai prodhon paranojë, ankth për pastërti. Të gjithë ne që e vuajmë të njëjtën dhembje në esencë, të gjithë shqiptarët kosovar, por edhe romët, serbët, turqit, goranët, etj, nuk mund të ikim nga shoqëria jonë. Ajo që jemi është përballë nesh në çdo hap tonin, për çdo ditë, në çdo gjë që po ndodh.

Pushteti që po ndërtohet në kurriz të një projekti në Kosovë, është shembulli më i mirë i paranojës kolektive që po përhapet. Projekti i lagjes përbri liqenit të Badovcit është një fenomen krejtësisht i veçantë. Si shembull, si simbolikë e mundësisë së vetëdijesimit me atë që jemi, dhe që është e mundshme. Ai është mënyrë e – ndërtimit – të vetëbesimit tonë. Është mënyrë për t’i dhënë mundësi njeriut tonë të mësoj të bashkëjetoj me atë që ka. Jo si diçka që e kemi tanimë. Por si diçka që mund të lind, të mësohet gjatë rrugës dhe të krijohet.

Djali katër vjeçar, i marrë shembull në këtë punim, luan shumë me veturat lodra të tij. Gjithherë ai merr kohë të gjatë për të ndërtuar komunikacionin e tyre. Dhe komunikacioni i tij është identik me komunikacionin e rrugëve tona. Të gjitha veturat janë një mbi një, janë kaos i definuar. Kjo është krejt çka ka parë dhe njohur ai në jetën e tij kate vjeçare. Dhe aq më shumë ai nuk lejon që ai të rregullohet dhe as të përmirësohet. Gjë shumë e vërtetë, ai po e inxhineron hyrjen e tij në paktin tonë të të mëdhenjve.