Lajme

Sveçla për armët e kapura në veri: Po zgjatet lista e terroristëve të strehuar në Serbi

10/07/2024 21:19
nga:G B

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka mirëpritur aksionin e Policisë së Kosovës, gjatë ditës së sotit në veri të Mitrovicës, ku dy persona janë shpallur në kërkim si dhe janë sekuestruar armë të ndryshme dhe pajisje ushtarake.

Sveçla përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se ky është një rast shtesë që e dëshmon se lista e terroristëve po strehohen në Serbi.

Ai theksoi se Kosova nuk do të jetë strehë e kriminelëve që cënojnë sigurinë e qytetarëve tanë.

“Mirëpres aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veriun tonë, që rezultoi me sekuestrimin e armatimit të shumtë e të ndryshëm, të pajisjeve për trazira e të pajisjeve për prodhimin e jashtëligjshëm të kriptovalutave, duke u parandaluar kështu sulme të mundshme ndaj zyrtarëve tanë, qytetarëve apo institucioneve tona. Ky është edhe një rast shtesë që dëshmon se po zgjatet lista e kriminelëve e terroristëve që po strehohen në Serbi. Beteja në luftimin e terrorizmit teksa po vijon me sukses do të jetë e pandalshme dhe nuk ka kthim prapa. Vendi ynë nuk do të jetë asnjëherë strehë e kriminelëve e terroristëve që cënojnë sigurinë e qytetarëve, zyrtarëve apo institucioneve tona”, vijon Sveçla.