Lajme

Surroi: Kosova po merret me Gjykatën Speciale ndërkohë që vendi po rrënohet ekonomikisht nga Covid 19

07/14/2020 11:03
nga:Y I

Publicisti, Veton Surroi, thotë se ende nuk është kuptuar se sa dramatike është situata me Covid 19 në Kosovë, shkruan Gazeta Blic.

Surroi thekson se Kosova në pjesën e parë të vitit është marrë me tema si taksa ndaj Serbisë, reciprociteti dhe marrëdhëniet me Amerikën ndërsa në pjesën e dytë të vitit duket që do merret sërish me Gjykatën Speciale, negociatat etj, ndërkohë që vendi ‘shembet’ nga ana shëndetësore dhe ekonomike.

“Shembja shëndetësore, sociale, ekonomike dhe e sigurisë së vendit është lehtë e parashikueshme nëse nuk bëhet ndryshim dramatik në trajtimin e COVID-19”

Njoftimi i plotë:

Ende nuk është kuptuar se sa është dramatike situata me COVID-19 në Kosovë.
Më 13 korrik në Kosovë ka pasur 187 raste të reja të infeksionit. Në të njëjtën ditë, Italia dhe Gjermania kanë pasur në numra absolut MË PAK raste të infeksionit. Italia, me popullatë 33 herë më të madhe ka pasur 169 raste të reja, Gjermania me popullatë 46 herë më të madhe ka pasur 159 raste të reja.
Ka edhe më keq: Italia bën 99 teste për një mijë banorë e Gjermania 76. Kosova për momentin nuk mbërrin të bëjë as një të katërtën e një testi për një mijë banorë.
Kosova, gjatë gjysmës së parë të vitit e zuri veten duke promovuar si tema parësore natyrën e tregtisë me Serbinë –me apo pa taksa, me apo pa reciprocitet-dhe matësin e dashurisë ndaj Amerikës apo kësaj administrate amerikane. Në ASNJË pikë debati mbi drejtimin që ka marrë vendi nuk është shtruar si parësore çështja e shtrirjes dhe rritjes së numrit të testeve dhe ka të ngjarë që vendi në pjesën e dytë të vitit sërish të zihet me tema parësore tjera-negociatat, Gjykata speciale e kështu me radhë.
Por, shembja shëndetësore, sociale, ekonomike dhe e sigurisë së vendit është lehtë e parashikueshme nëse nuk bëhet ndryshim dramatik në trajtimin e COVID-19.