Lajme

Supremja e hedh poshtë ankesën e VV’së për votat me postë, i hap rrugë certifikimit të rezultateve

3 ditë më parë
nga:Sh R

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë  ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me votat e ardhura me postë, duke i hapur kështu rrugë certifikimit të rezultateve të 9 shkurtit.

Vendimi është marrë dje, teksa në faqen e Supremes është publikuar sot.

“Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga gjendja e tillë faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-it, si në vendimin e tij, me të cilin e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e datës 17.03.2025, të parashtruar nga subjekti politik: Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, lidhur me shpalljen e rezultateve përfundimtare për Zgjedhjet e Përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më datë 09.02.2025. Vendimi i PZAP është i qartë, i drejtë, i kuptueshëm dhe përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare nga vërtetohet se edhe e drejta materiale është zbatuar drejtë në kuptim të dispozitave ligjore…”, thuhet në arsyetim.

VV’ja në ankesë kishte kërkuar anulimin e 18 mijë e 933 votave të LDK’së, me akuzën se janë manipuluar.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! duke qenë e bindur dhe duke e dëshmuar me fakte e prova të pakontestueshme skemën kriminale të manipulimit me vota përmes postës, sot brenda afatit ligjor ka dorëzuar në Gjykatën Supreme ankesën e saj në lidhje me këtë proces. Lëvizja VETËVENDOSJE! edhe njëherë kërkon anulimin e 18.933 votave të LDK-së të ardhura në mënyrë të manipuluar, rivotimin me postë dhe largimin nga lista të kandidatëve që kanë marrë vota në mënyrë të pakrahasueshme më shumë përmes votimit me postë sesa në vendvotime në Kosovë dhe moszëvendësimin e tyre me anëtarë të tjerë të LDK-së”, ka deklaruar kjo parti.

Vendimi i Supremes i hap rrugë certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit

Ndryshe, për votat me postë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka autorizuar Policinë e Kosovës në grumbullimin dhe verifikimin e informacioneve. Mirëpo, në këtë fazë të procedurës nuk mund të jepen detaje më të hollësishme sepse mund të cenohet procesi hetimor”, ka deklaruar Kaltrina Shala nga Zyra për Komunikim në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Sipas rezultatit përfundimtar, të shpallur më 15 mars, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me mbi 390 mijë vota apo 42.30 për qind. E dyta është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190 mijë vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga LDK-ja me mbi 170 mijë vota, apo 18.27 për qind.

Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-Demokrate me mbi 66 mijë vota apo 7.06 për qind.

Lista Serbe ka siguruar mbi 39 mijë vota apo 4.26 për qind.