Sporti

Super lajm për tifozët e Partizanit pak para derbit me Tiranën

02/26/2020 18:29
nga:Lorik J

Lajm i madh për tifozët e Partizani pak ditë para derbit të kryeqytetit me Tiranën, që do të zhvillohet ne “Air Albania”. Esat Mala, prej disa muajsh “i degdisur” te Partizani B, këtë të mërkurë është bashkuar me ekipin e parë, nën urdhrat e Sormanit.

Duket se drejtuesit dhe mesfushori i kanë zgjidhur mosmarrëveshjes, që i kanë kushtuar shtrenjtë klubit të kuq. Tani që “Demave” u është shtrënguar laku, është thirrur në “betejë” një nga “gladiatorët” e ekipit që u shpall kampion i Shqipërisë vitin e kaluar.

Esat Mala është aktivizuar në derbin e skuadrave të dyta, Tirana B-Partizani B, që përfundoi 1-1. Një provë e përgjithshme para derbit të vërtetë, atij të së premtes, që do të luhet në “Air Albania Stadium”, në orën 19:00. Tifozët e kuq kanë kohë që e kërkojnë kthimin e Malës, por dëshira e tyre po plotësohet në një moment delikat, përballë rivalit të përjetshëm, që kryeson kampionatin.

Se sa do të vlejë ky vendim, do të kuptohet pas vërshëllimës së trefishtë të gjyqtarit në derbi. Një gjë është e sigurt: Partizani ka humbur shumë duke lënë mënjanë një futbollist që i ka dhënë shumë klubit vitet e fundit.

Top Channel