Opinion

Sun Tzu jetoi në Kosovë!

06/19/2018 13:47
nga:BURIM RAMADANI


Të çrregulluar ‘trupat e Kosovës’ nuk mund të përballen me askënd. Të hutuar nuk duhet të jetë udhëheqja. Pluhurin që po ngritet duhet parë, ndërsa gjuhën e përulur të lajmëtarëve duhet analizuuar. Duhet marrë në dorë fatin e kundërshtarit, derisa duhet kuptuar edhe ‘toka’ që nuk duhet mësyrë.

Arti i Luftës është kryevepër. Sun Tzu jetoi në Kosovë. Kështu, 20 vjet më parë, ishte i saktë në pretendimet e tij.

Kështu u çlirua Kosova.

Sa herë që e rilexoj Sun Tzu-në, Arti i Luftës mbetet udhëzuesi dhe jo vetëm kryevepra. Jo vetëm edukuese për të kaluarën mjaft të largët 2500 vjeçare të Perandorisë së vjetër Kineze. As për aftësitë e një strategu për të përballur apo sulmuar armiqtë në kohën e vjetra, pakrahasuemisht primitive në raport me të sotmen teknologjike.

Por, mbi të gjitha, Sun Tzu është autor aktual. I thjeshtë, pa dogmë, konkret dhe i vendosur.

Pse po shkruaj për Sun Tzu-në, sot në vitin 2018? Apo, çka në dreq lidhet Sun Tzu me Kosovën?

Ja tetë thënie e spjegime të pazëvendësueshme:

  1. “Një udhëheqës ushtarak i hutuar, shkakton fitoren e armikut të vet”.
  2. “Kur jeni i aftë të sulmoni, shtiruni sikur nuk mundeni ta bëni një gjë të tillë; kur jeni duke i zhvendosur trupat, shtiruni sikur nuk mundeni fare të lëvizni vendit”.
  3. “Një udhëheqës i zoti nuk duhet të lejojë çrregullime në radhët e trupave të veta. Fushëbeteja mund të duket e turbullt dhe pre e kaosit, por rreshtimi i ushtarëve të tij duhet të jetë krejtësisht i rregullt”.
  4. “Një komandant i zoti e kërkon fitoren përmes krijimit të situatës së duhur, duke mos e pretenduar atë nga ushtarët dhe vartësit e tij”.
  5. “Mjeshtri i luftës duhet të ketë në dorë fatin e armikut të vet”.
  6. “Ekzistojnë disa rrugë që duhet përshkuar, disa trupa që nuk duhet sulmuar, disa lloj qytetesh mbi të cilat nuk duhet mësyrë dhe disa toka që është më e udhës të mos provohet të pushtohen”.
  7. “Pluhuri që ngritet nga toka tregon se po afrohen karroca luftimi”.
  8. “Kur lajmërtarët flasin me një gjuhë të përulur, por ndërkaq ushtria vijon të përgatitet, kjo tregon se ata vazhdojnë të përparojnë”.

Kosova, saherë që i afrohet proceseve të mëdha, e ka të domosdoshme t’i kthehet bashkimit, qartësisë dhe rregullsisë. E tillë është edhe situata e tashme para asaj që pretendohet të jetë Finalja e Madhe e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Të çrregulluar ‘trupat e Kosovës’ nuk mund të përballen me askënd. Të hutuar nuk duhet të jetë udhëheqja. Pluhurin që po ngritet duhet parë, ndërsa gjuhën e përulur të lajmëtarëve duhet analizuuar. Duhet marrë në dorë fatin e kundërshtarit, derisa duhet kuptuar edhe ‘toka’ që nuk duhet mësyrë.

Këto besoj se mund të jenë mësimet që Sun Tzu na jep edhe sot.

Ashtu, sikur para rreth 20 vitesh, ‘dijenia largpamëse’ e Sun Tzu-së e fitonë luftën.