Cult

“Summer Cult XI” me risi, shfaqjet në konkurrencë

09/09/2024 16:58
nga:G B

Edicioni i sivjetëm i Festivalit “Summer Cult” vjen me risi. Pjesëmarrësit do të garojnë nga ky vit, për disa çmime, që do të jepen për shfaqjet dhe artistët më të dalluar. “Summer Cult XI” u dedikohet regjisorëve të rinj dhe kontributit që po japin ata në skenën teatrore. Shfaqje nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, vijnë në skenën e Teatrit “Dodona” me 16,17 dhe 18 shtator.

Në Programin e Festivalit, si edhe vitet e kaluara, nuk mungojnë as aktivitetet e tjera interesante. Dy punëtori me emra të njohur të koreografisë dhe pikturës, do të mbahen me 16 dhe 17 shtatore në CNP, në Prishtinë (Center for Narratives Practices). Dhjetëra të rinj, kanë shprehur interesimin e tyre për të mësuar më tepër rreth këtyre zhanreve të artit.  Arjan Syknej, profesor universitar dhe koreograf i njohur si dhe Adriana Sedaj, piktore e shpërblyer me çmime për veprat e saj, do të ndajnë me pjesëmarrësit përvojën e tyre të gjatë. Ndërkohë në ditën e fundit të Festivalit do të mbahet në Institutin Albanologjik, Konferenca Teatrore-Edicioni VI. Tema e konferencës sivjet është – Orientimi në të Ardhmen: Sfidat dhe Mundësitë për Gjeneratën e Re të Regjisorëve të Teatrit. Në dy sesione, profesorë të Fakultetit të Arteve, artistë të njohur të teatrit, regjisorë të rinj, përfaqësues nga institucionet, do të diskutojnë dhe nxjerrin rekomandime.

Programi me 16 shtator

Shfaqja e parë që do të jepet, është “Katër trëndafilat” nga Kosova, në orën 17:00. Autore: Julia Cameron, Regjia: Erleta Rexhepi. Luajnë: Donikë Zeqiri, Gresë Gashi, Uratë Shabani, Albana Gashi, Fitore Jashari, Erza Sejdiu. Subjekti i shfaqjes është intrigues për publikun. Në një udhëtim tundues mes varësisë dhe shërimit, vihet në sfidë forca e shpirtit njerëzor dhe i rimëkëmbjes së gjashtë grave, të cilat i gjejnë rrugët e tyre që kryqëzohen në një qendër rehabilitimi, teksa ato përballen me demonët e tyre të brendshëm, traumat dhe pasiguritë…

Po të njëjtën mbrëmje, në Teatrin “Dodona: jepet shfaqja “ Në të njëjtën kohë, vitin tjetër” nga Kosova. Autor: Bernard Slade, Regjia: Blerta Cakaj. Luajnë: Blerta Cakaj & Elton Tahiri. Në qendër të rrëfimit është një histori komplekse dashurie. Doris dhe George, dy të huaj që takohen rastësisht në një hotel krijojnë një lidhje të veçantë që i bashkon çdo vit në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Edhe pse të martuar dhe të përkushtuar ndaj familjeve të tyre, ata e vazhdojnë këtë marrëdhënie për 25 vite, të shtyrë nga ndjenja të pavetëdijshme që i ndihmojnë të kërkojnë vetveten dhe të plotësojnë boshllëqet në jetët e tyre të zakonshme.

Programi me 17 shtator

Të martën me 17 shtator, do të jepet prej orës 17:00 shfaqja “Shërbëtoret” nga Shqipëria. Autor: Jane Genet, Regjia: Klajdi Malollari. Interpretojnë:  Xhoana Karaj. Erina Lazi. Fabiana Proi. Pushteti, është lajtmotivi i veprës. Solange dhe Claire janë dy motra që janë shërbyese shtëpie. Kur zonja e tyre (Madame) është larg, ata me radhë luajnë rolin e Zonjës, ndërsa tjetra luan rolin e shërbëtores së saj. Në këtë mënyrë, ata portretizojnë të dyja anët e ndarjes së pushtetit. Qëllimi përfundimtar i lojës së tyre me role është kryerja e vrasjes së vërtetë të Zonjës si e vetmja mënyrë për të çliruar veten nga nënshtrimi.

Po në këtë mbrëmje, në orën 20:00, jepet shfaqja “Pacienti i doktor Frojdit” nga Maqedonia e Veriut. Autor: Miro Gavran,Regjisor: Gent M. Çajani. Interpretojnë: Muzafer Etemi, Adrian Aziri dhe Linda Shabani. Ngjarja groteske zhvillohet në Vjenë në zyrën e Zigmund Frojdit. Tridhjet vjeçari Adolf Hitler vjen në zyrën e Frojdit për të kërkuar ndihmë, jeta e tyre seksuale nuk po fuksionon siç duhet me të dashurën e tij Kristinën dhe si do dëshironte ai. Personazhet e diktatorit të ri të ardhshëm dhe psikiatrit më të famshëm në botë përshkruhen me shumë humor.

Programi me 18 shtator

Të mërkurën me 18 shtator nga ora 17:00 jepet shfaqja nga Kosova, “Një dorëzim në Spokan” . Regjia: Blendi Arifi , Aktorë: Alban Shahiqi, Florent Salihu, Djellza Dema, Blendi Arifi. Një njeri misterioz kërkon dorën e tij që prej 27 vitesh në një qytet fiktiv- Tarlington, Amerikë. Një çift të dashuruarish kuptojnë se ka një njeri në qytet që kërkon një dorë dhe është i gatshëm të paguaj për të. Ngjarja zhvillohet në një hotel ku pritet të ndodhë “dorëzimi” dhe aty ndodhet edhe një sportelist i cili prish planet e dy palëve.

Ndërsa prej orës 20:00 është shfaqja “Impromptu” nga Shqipëria. Autor: Tad Mosel, Regjia: Artemis Beluli. Luajnë: Erina Lazi, Klodian Çelmeta, Eva Gjika, Ronaldo Kolgjokaj, Shandi Ismailaj.  Nje kast aktoresh te rinj jane te detyruar te improvizojnë një pjesë për të argëtuar publikun por jo vetëm. “Impromptu” është një shfaqje brenda shfaqjes ku asgjë nuk shkon ashtu si duhet.

Në ditën e fundit të festivalit, prej orës 21:30 jepet edhe premiera e leximit skenik “Anija nuk kthehet më”. Autore, regjisore: Elmaze Nura. Interpretojnë: Hazir Haziri, Anisa Ismajli. Në qendër është drama e emigracionit. Dy prindër rrezikojnë gjithçka për t’u bashkuar me fëmijët e mbetur në atdheun e përfshirë nga lufta. Sakrificat e babait dhe nënës janë të paimagjinueshme. Fati i tyre, është i rëndë, si dallgët që trazojnë anijen me emigrantë.

Ndarja e çmimeve të festivalit, bëhet pas leximit skenik. Me grupin muzikor “Third Stream”, mbyllet edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit “Summer Cult”.

Në jurinë e Festivalit janë : Besar Zahiti, aktor dhe producent, Profesor në Fakultetin e Arteve – Kosovë, Suela Konjari, aktore -Shqipëri, Ylber Nuredini, aktor, regjisor-Maqedonia e Veriut.

Festivali “Summer Cult”, është  pjesë e Programit Vjetor të organizatës kulturore Cult Club, që mbështetet nga MKRS dhe komuna e Prishtinës.