Kryetari i Komunës së Suharekës dhe njëherësh kandidati i AAK-së për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur përmes një publikimi se qytetarët tashmë do të kenë në dispozicion shërbimin e WiFi-it falas në hapësirat publike të qytetit.
Ky projekt është realizuar me një grant prej 15 mijë eurosh të siguruar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, duke synuar të sjellë lidhje të shpejtë dhe falas për të gjithë banorët dhe vizitorët e komunës.
Në njoftim theksohet se kjo nismë pritet të lehtësojë qasjen në internet për qytetarët, të ndihmojë bizneset lokale si dhe të ofrojë më shumë lehtësi për turistët që vizitojnë Suharekën.
Sipas Muharremajt, ky investim është pjesë e përpjekjeve për modernizimin e shërbimeve dhe përmirësimin e jetesës së qytetarëve, duke e pozicionuar Suharekën si një qytet gjithmonë “një hap para”.


