Opinion

Studiuesi shqiptar në Duke University: Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe domethënia e saj

10/01/2019 10:40
nga:Gent Carrabregu

Shkruan: Gent Carrabregu

Në çdo etapë të ecjes sonë drejt lirisë kolektive, rol kyç kanë luajtur lëvizjet popullore. Gjatë sundimit të Jugosllavisë në vendin tonë, ato vepronin në ilegalitet dhe si të tilla ishin e pavetëdijshmja e popullit. Përmes ballafaqimit me pushtuesin ato arritën të krijonin popullin e vetëdijësuar që themeloi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sidoqoftë, ndonëse në historinë e shoqërisë sonë lëvizjet popullore kishin shërbyer gjithmonë si strukturë organizative për ndryshime rrënjësore, fryma dhe programet e tyre nuk kishin arritur të institucionalizoheshin me sukses ndonjëherë. Me futjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend në vitin 2010, filloi ngadalshëm por sigurt ndryshimi për të mirë i këtij trendi. Kuvendi u transformua rrënjësisht. Ai u bë arena politike që do duhej të ishte në një shoqëri të lirë e demokratike; demokracia pushoi së qenuri një sport soditës. Populli i Kosovës tani ka shansin që duke votuar për Lëvizjen ta transformojë po aq rrënjësisht edhe pushtetin ekzekutiv të vendit. Përse na duhet fitorja e Lëvizjes, çfarë mund të presim nga qeveria Kurti, dhe çfarë na pret ne si shoqëri pas ardhjes në pushtet të organizatës politike që për pothuajse pesëmbëdhjetë vite ishte shtylla kryesore e aktivizmit qytetar në vendin tonë?

Si ithtar i demokracisë, do të kisha dëshirë të thoja që më 6 tetor populli do të ndodhet para një zgjedhje të vështirë: në mesin e shumë opsioneve serioze politike, do t’i duhet të përcaktohet për vetëm njërin prej tyre. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti. Në rrethanat e vështira politike e ekonomike në të cilat gjendet sot, populli i Kosovës nuk ka alternativë ndaj përcaktimit për Lëvizjen Vetëvendosje. Por fatmirësisht për vendin tonë, ky përcaktim mund të afirmohet prej tij si vlerë e jo vetëm si zgjedhje e zorit. Ky është një privilegj që sot nuk e gëzojnë shumë popuj të shteteve perëndimore. Të ballafaquar me një elitë neoliberale që ka shkatërruar shoqëritë e tyre përgjatë pesëdhjetë viteve të fundit, nga njëra anë, dhe me një të djathtë ekstreme me prirje raciste, nga ana tjetër, ata shumë shpesh detyrohen të votojnë me hundën mbyllur për “të moderuarit” e qendrës që premtojnë vazhdim të avazit të vjetër: luftë të pamëshirshme klasore ndaj shtresës së mesme dhe të varfër. Më 6 tetor populli i Kosovës vërtet ka vetëm një mundësi për ta shprangosur vetveten nga sundimi i një kaste politike të korruptuar e të paaftë, veçse kjo është një mundësi cilësore. Ndaj ndëshkimin e kësaj kaste ai mund ta bëjë pa përjetuar ndjesinë e idhët që na shoqëron kur detyrohemi të zgjedhim të keqen më të vogël.

Të përcaktohesh për Lëvizjen Vetëvendosje sot do të thotë të zgjedhësh më të mirën e mundshme për vendin tënd. Kjo sepse edhe po të mos jesh ithtar i orientimit politik të majtë, duke votuar Lëvizjen do të ndihmosh shtet-ndërtimin e Kosovës, që sot është buzë rrënimit. Dhe kjo sepse edhe po të mos kesh bindje të majta, duke votuar Lëvizjen do t’i hapësh rrugë zhvillimit ekonomik të Kosovës sipas modelit të shtetit zhvillimor, që para se të jetë një model i majtë është modeli zhvillimor që historia ekonomike e njerëzimit na e rekomandon si më të suksesshmin. Pjesa dërrmuese e shteteve të zhvilluara sot, prej Evropës Perëndimore e SHBA-së e deri tek Lindja e Largët, kanë ndjekur modele të ngjashme për ta bërë transformimin e madh nga ekonomi të prapambetura të mbështetura në eksport të të mirave të papërpunuara në ekonomi të industrializuara që mbështeten në prodhim të të mirave të përpunuara. Ashtu sikurse nuk e ka shpikur konceptin e vetëvendosjes, Lëvizja nuk e ka shpikur as atë të shtetit zhvillimor. Duke u përcaktuar për të, ne zgjedhim nxënësen më të zellshme në mesin tonë të historisë politike e ekonomike botërore. Sigurisht, Lëvizja është e prirur nga e majta, por majtizmi i saj është jodogmatik dhe i mbështetur mbi disa intuita themelore morale që, përjashto ithtarët e një darvinizmi shoqëror ekstrem, mund t’i pranojë çdo njeri i arsyeshëm.

Me të ardhur në pushtet, qeveria Kurti do të ndeshet me një situatë bukur të vështirë, dhe atë në të gjitha drejtimet. Para se të fillojë me hapat që rrjedhin nga programi qeverisës, asaj do t’i duhet të veprojë si mjeku në njësinë e emergjencës. Me të parë mundësinë e fitores së Lëvizjes, strategjia e grupeve që sot kanë kapur shtetin mund të jetë krijimi i sa më shumë situatave emergjente për qeverinë Kurti. As grupet ekonomike të interesit që kanë përfituar nga një shtet i dobët, siç janë kompanitë e mëdha private të përfshira në zhvatje të aseteve publike, nuk mund të priten të rrinë duarkryq. Media private nën ndikimin e këtyre grupeve pritet ta bëjë punën e vet në keqinformimin e opinionit publik. Tejet i palumtur nga qeveria Kurti do të jetë natyrisht edhe shteti serb, i cili siç dihet zotëron mjete të ndryshme ndikimi mbi situatën politike në Kosovë. Në rrethana të këtilla, krahas qeverisjes me vendin, qeverisë Kurti do t’i duhet të derdhë energji të konsiderueshme në mbrojtje të arritjeve e planeve të veta përpara opinionit publik vendor e ndërkombëtar. Transparenca sa më e plotë dhe komunikimi sa më i drejtpërdrejtë me publikun janë mjetet më të mira që posedon një qeveri përparimtare për t’u ballafaquar më këso situatash. Përgjatë zhvillimit të kësaj beteje do të mund të kuptojmë se me çfarë suksesi Lëvizja Vetëvendosje ka arritur që, përgjatë gjithë këtyre viteve të aktivitetit opozitar, të kultivojë popullin që i duhet një qeverisjeje si të saj: syhapët e dyshues ndaj çdo pushteti, por edhe i aftë të mbrojë arritjet e një qeverie përparimtare.

Historia na mëson se tipar karakteristik i figurave politike si kjo e Kurtit është dimensioni tragjik që i përcjell ato, sidomos me të ardhur në pushtet. Pushteti shoqërohet domosdo nga përballje me situata konflikti mes dy të drejtave me legjitimitet të barabartë moral. Mjaft shpesh të qeverisësh do të thotë të zgjedhësh njërën të drejtë përkundër tjetrës, si dhe ta imponosh këtë zgjedhje me gjithë forcën e aparatit shtetëror. Nga një aktivist paqësor i gatshëm për t’u sakrifikuar për idetë dhe parimet e veta morale, Kurti së shpejti do të shndërrohet në një autoritet ekzekutiv që merr vendime që në instancë të fundit mbështeten nga aparati shtetëror i shtypjes (p.sh., policia, ushtria). Pikërisht për këtë arsye, sociologu gjerman Max Weber thoshte se ata që janë të brengosur për shpëtimin e shpirtit të tyre, nuk duhet të merren me politikë. Për fatkeqësinë e kundërshtarëve politikë e fatmirësinë e popujve të tyre, figura politike me integritet moral si kjo e Kurtit kanë qenë gjithnjë më të brengosura për shpëtimin e popujve të cilëve u përkasin sesa të shpirtit të tyre individual. Marrë parasysh integritetin e tij, mënyra sesi Kurti do të zgjedhë ta ushtrojë pushtetin ekzekutiv do të na ofrojë mësime të vyeshme në edukatë qytetare, si kur do të pajtohemi ashtu edhe kur nuk do të pajtohemi me zgjedhjet e tij si kryeministër.

Kushdo që brengoset për gjendjen e demokracisë në shoqërinë tonë nuk mund të mos jetë i shqetësuar nga varfërimi i burimeve të aktivizmit qytetar që vjen si pasojë e ngjitjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje. Paçka se ky është një çmim që ia vlen ta paguajmë, zbrazëtia që do të lërë Lëvizja në shoqërinë civile të vendit do të jetë e konsiderueshme. Sesa shpejt do të mund ta marrim veten nga kjo humbje mbetet të shihet. Le të shpresojmë që tradita e vyeshme e lëvizjeve qytetare në historinë e shoqërisë e të kombit tonë nuk do të mbetet pa trashëgimtar të denjë.

(Autori është studiues i filozofisë politike dhe hulumtues pasdoktoral në Duke University)