Lajme

Stema e Kosovës pjesë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

05/23/2023 22:26
nga:Astrit Gashi

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka marrë pjesë në përurimin e stemës së Republikës së Kosovës, e cila u bë pjesë e Dhomës së Këshillit Administrativ dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Gjatë vizitës në Holandë, ai ka takuar zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit, Martin Doe.

“Me z.Doe biseduam për aktivitetet dhe punën e Gjykatës. Pas takimit, së bashku me zëvendësdrejtorin Doe, njërën nga përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit, Arlinda Rrustemin, dhe ambasadorin Dren Doli, përuruam stemën e Republikës së Kosovës, e cila u bë pjesë e Dhomës së Këshillit Administrativ dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka shkruar Ahmeti.

Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit është organizata e parë e përhershme ndërqeveritare që ofron zgjidhje të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare nëpërmjet arbitrazhit dhe mjeteve tjera paqësore.

Ndërsa Republika e Kosovës është anëtare e saj që nga viti 2016.