Lajme

Spitali në Suedi e pranon se ua hoqën mitrën 33 grave pa nevojë

10/25/2024 13:15
nga:Y I

Spitali Universitar i Suedisë në Uppsala u bëri 33 grave histerektomi të panevojshme në 2023 dhe 2024 pasi i diagnostikoi gabimisht si të rrezikuara nga kanceri i mitrës.

Spitali tha se diagnozat e pasakta, te gratë e moshës 38 deri në 85 vjeç, u zbuluan në një rishikim pasi spitali vuri në dukje një rritje “të pashpjegueshme” të rasteve.

“Grave iu tha pas testimit se kishin qeliza prekanceroze që janë pararendëse të kancerit të mitrës, dhe për këtë arsye iu rekomandua operacioni”, tha spitali në një deklaratë, raporton “AFP/The Local”.

Këto diagnoza më vonë u gjetën “të pasakta”.

“Asnjë operacion nuk do të ishte i nevojshëm”, shtoi spitali në deklaratë.

“Na vjen shumë keq për atë që ka ndodhur. Heqja e mitrës është një operacion i madh, me pasoja të mëdha dhe të pakthyeshme. Nuk duhet të ndodhë, dhe megjithatë ndodhi”, tha në deklaratë Johan Lugnegard, kryemjeku në spital.

Lugnegard tha në një konferencë për shtyp se shumica e grave ishin në të 50-at dhe 60-at e tyre, raportuan mediat lokale.

Spitali tha se grave të prekura do t’u ofrohet një shans për të aplikuar për kompensim.

Në deklaratë u tha se gratë ishin diagnostikuar me neoplazi intraepiteliale endometriale (EIN), një pararendës i kancerit të mitrës. Spitali tha se një rishikim kishte gjetur se kishte pasur “një mbidiagnozë sistematike”.