Lajme

Spitali i Pejës sqarohet rreth vdekjes së nënës shtatzënë dhe foshnjës së saj

02/11/2019 16:40
nga:A. R.

Spitali Regjional i Pejës, përmes një njoftimi për media, ka sqaruar rastin e vdekjes së nënës shtatzënë dhe foshnjës së saj.

Sipas sqarimit, të shtunën më 9.02.2019, rreth orës 13:45 në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë është pranuar një grua shtatzënë e gatshme për të kryer lindjen.

“Rreth dy orë më vonë lindja është kryer, por fatkeqësisht foshnja ka lindur pa shenja jete. Sipas mjekëve specialistë nënës i është dhënë një infuzion me glukozë për t’i dhënë energji gjatë lindjes, por komplikimet kanë ndodhur gjatë procesit të lindjes e dyshimet e para janë se ka pasur rupturë, ose çarje të mitrës. Ekipi mjekësor ka vepruar dhe pacientes i është hequr mitra, por gjakderdhja nuk është ndalur si pasojë e humbjes së faktorëve të koagulimit të gjakut”, thuhet në sqarim.

Sipas njoftimit, të gjithë mjekët kujdestarë, gjinekologë, kirurgë, anesteziologë, kanë punuar 4-5 orë por nuk kanë mundur të ndalin gjakderdhjen.

Spitali i Përgjithshëm në Pejë thotë se ka bërë vlerësimet e para të situatës dhe është konstatuar se qasja e personelit mjekësor ka qenë profesionale, janë zbatuar plotësisht procedurat dhe protokolet dhe nuk kanë munguar materialet e nevojshme për trajtim.

“Obduksionet e më vonshme të institucioneve kompetente do të japin përgjigjen e plotë lidhur me rastin. Personeli i Spitali i Përgjithshëm në Pejë bashkëndjen dhimbjen me familjarët e nënës dhe foshnjës dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në njoftim.