Lajme

Sot mbahet Samiti i BE-së, Kosova merr pjesë, ndiqeni live

05/17/2018 07:54
nga:Q F

Sot në Sofje të Bullgarisë mbahet Samiti i BE-së dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në të cilin do të jenë pjesë mbi 30 liderë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Thaçi do të marrë pjesë në takimin dhe konferencën e përbashkët të liderëve të shteteve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të këtij samiti, presidenti Thaçi do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të ndryshëm shtetërorë, kurse pasdite do të marrë pjesë edhe në Forumin Ekonomik Botëror, që organizohet në kryeqytetin e Bullgarisë.

Presidenti Hashim Thaçi tashmë gjendet atje dhe do të marrë pjesë në këtë takim

Për të parë drejtpërdrejtë samitin e BE-së, ju mund të klinkoni në linkun më poshtë ku do të lidheni direkt me ngjarjen atje.

Për të parë samitin, klinkoni këtu

Nga ana tjetër presidenti i vendit, Hashim Thaçi dje zhvilloi një takimin zyrtar me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, si dhe me presidentin serb Alekasandar Vuqiç.

Pas takimit Thaçi ka thënë se faza e re e dialogut nuk do të jetë e lehtë as për Kosovën dhe as për Serbinë.

Ai ka thënë se jemi të vetëdijshëm se nuk do të ketë fitore 100% për askënd, por ajo që është e sigurt është se edhe Kosova me arritjen e kësaj marrëveshje ligjërisht obligative, por edhe Serbia, do të jenë pjesë e familjes evropiane.

Federika Mogherini, Aleksander Vuçiq, Hashim Thaçi, Sofje 2018

Kjo është deklarata e plotë e presidentit Thaçi dhënë para mediave në Sofje:

“Ishte një takim i rëndësishëm, një takim jashtëzakonisht produktiv. Një takim që diskutuam për të ardhmen evropiane të Kosovës, për procesin e liberalizimit të vizave që Kosova është në rrugë shumë të mbarë, që Kosova ka implementuar të gjitha kriteret, 95 prej tyre të kërkuara nga Bashkimi Evropian, është një vlerësim i lartë.

Në të njëjtën kohë diskutuam në takim të veçantë me zonjën Mogherini, për hapat e mëtutjeshëm që duhet t’i ndërmarrim, është konstatim i përbashkët se pjesëmarrja e Kosovës në këtë Samit të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është historik për Kosovën, që nënkupton vlerësim për shtetin e Kosovës, që po konsolidohet dhe afirmohet në rrafshin e një perspektive konkrete të sigurt evropiane.

Në të njëjtën kohë, zonja Mogherini me iniciativën e vet na ka takuar në takim të përbashkët me Presidentin e Serbisë, me të cilin diskutuam për mundësinë qà « të kemi hapa konkret dhe konstruktiv në procesin e ardhshëm të dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për mundësinë e ndërtimit të raporteve të fqinjësisë së mirë, një relacioni evropian, që do të nënkuptonte më tepër paqe dhe stabilitet në tërë Ballkanin Perëndimor.

Është dakordim i përbashkët që dialogu për fazën përfundimtare të filloj në të ardhmen e afërt, të udhëhequr nga zonja Mogherini, me një mbështetje unike të shteteve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe akterëve tjerë që dëshirojnë të ndihmojnë.

Prandaj, edhe është me të vërtetë një momentum i ri, një momentum që kërkon mobilizim të të gjitha forcave dhe energjive të skenës politike, institucionale, të shoqërisë civile, të mediave edhe në Kosovë, sepse do të jetë një proces jashtëzakonisht i përgjegjshëm, për të marrë edhe përgjegjësi, por në të njëjtën kohë edhe kredi për finalizimin e këtij procesi, që do të nënkuptojë njohjen e Kosovës nga Serbia, dhe anëtarësimin e Kosovës në strukturat e OKB-së.

Natyrisht se procesi nuk do të jetë i lehtë për Kosovën, nuk do të jetë i lehtë as për Serbinë. Jemi të vetëdijshëm se nuk do të ketë fitore 100% për askënd, por ajo që është e sigurt se edhe në Kosova me arritjen e kësaj marrëveshje ligjërisht obligative, por edhe Serbia do të jenë pjesë e familjes evropiane.

Kështu që, do të ruhet integriteti territorial i Kosovës, sovraniteti dhe do të punojmë maksimalisht në frymën evropiane, ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, që ky proces të finalizohet suksesshëm, në përputhshmëri me interesat e qytetarëve të Kosovës, në përputhshmëri edhe me interesat e partnerëve tanë strategjikë ndërkombëtarë”./GazetaBlic/

 

 

 

 

05/27/2018 18:37

Dacic thotë se shqiptarët e pranojnë ndarjen e Kosovës, por s’lejohen prej ndërkombëtarëve