Sokol Haliti, veprimtar i ditëve të para e njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Koosvës, udhëheqës kryesor i Këshillit për Pajtimin e gjaqeve në nivel vendi, i pari i komunës së Vitisë për tre mandate, e kandidat për deputet në zgjdhjet e 9 shkurtit vjen në një rrëfim për dokumentarin “Expose”.
Ai vjen në një bisedë të sinqertë duke ndarë detaje të panjohura më parë për publikin rreth aktivitetit të tij disavjeçar në politikë e më gjerë.
Si rrallherë më parë, ai flet për familjen dhe jetën e tij në qytetin e Vitisë, ku jeton dhe vepron që nga fillimi.
Haliti tha se rrjedh nga një familje mërgimtarësh.
“Natyrisht që unë jam lindur dhe jam i lidhur për qytetin e Vitisë, tani punoj e angazhohem për këtë qytet. Mund të them se për Vitinë dhe për Kosovën jam angazhuar që në fillim të jetës time, që në rini, kur kam qenë student por edhe nxënës i shkollës së mesme, edhe pas studimeve. Unë rrjedh nga një familje që ka jetu në një fshat afër qytetit, Beguncë, ngjitur me qytetin, tani jetoj afër shkollave të mesme në Viti. Zakonisht ka qenë traditë me thënë rrjedh nga një familje e varfër, por unë në fakt nuk rrjedh nga një familje e varfër, rrjedh nga një familje e pasur, që ka qenë gjithmonë me pasuri edhe me punë edhe me djersë, me gurbet edhe zejtari, edhe me bujqësi natyrisht, me nikoqirllik të jashtëzakonshëm, me traditë të vërtetë. Prindërit i kam patur mërgimtarë, vitin që kam lindur unë, babai im ka shkuar në mërgim, pastaj edhe nëna dhe pjesa tjetër e familjes. Rrjedh nga një familje e mërgimtarëve, por vetëm jam rritur me gjyshin dhe me familje të madhe. Shumica e familjarëve të mi janë në Zvicer, një pjesë janë këtu. Unë me bashkëshorten i kemi katër fëmijë, dy djem edhe dy vajza, jemi kolegë të profesionit ajo profesoreshë në Shkollën e Mesme Profesionale në lëndë profesionale bujqësore, ndërsa unë prej pjesës profesionale jam rikthyer në politikë. Fakultetin e Bujqësisë e kemi përfunduar bashkë me bashkëshorten në vitet më të rënda, në fund të viteve të 80-ta fillim viteve të 90-ta” tha Haliti për dokumentarin “Expose”.
Haliti na përshkruan me detaje jetën studentore ku thotë se ka qenë shumë dinamike dhe me vështirësi.
Ai tregon se kjo kohë është përshkuar me protesta dhe rezistencë.
Haliti tregon se gjatë studimeve, në vitin 1989 është edhe burgosur.
I njëjti duke treguar me detaje zhvillimet e atyre viteve, që nga themelimi i LDK-së, pajtimi i gjaqeve e lufta e viteve 98-99, thotë se nuk janë ndalur për asnjë moment.
“Jeta studentore ka qenë me dinamikë, me plot vështirësi, me protesta me rezistencë. Unë jam burgos në vitin 1989, gjatë studimeve. Në atë periudhë janë vrarë edhe heronjtë e kombit, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, e plot problematika të tjera që kemi pas. Më vonë Lëvizja Studentore ka ndihmu në unifikimin e popullit, në pajtimin e gjaqeve, me profesor Anton Çetën. Gjithashtu në ato vite mund të them se janë kryer krejt ato vendimet kryesore si orientime për shtetin e ardhshëm të Kosovës për shkak se përveç Lëvizjes Studentore, themelimi i LDK-së atëherë ka qenë dominant. Ju e dini edhe qëllimin edhe antarësinë e gjerë që ka pas dhe postulatet kryesore të themelimit të LDK-së bashkë me pluralizmin politik që atëherë me të vërtetë e ka kriju. LDK mund të them se ka qenë ndër partitë më të organizuara në Ballkan me presidentin historik, Ibrahim Rugova, dhe unë kam qenë pjesë e asaj kohe prej 89-ës, burgut, më vonë pajtimit të gjaqeve me Anton Çetën me profesor Aganin, Dom Lush Gjergjin etj. Me të vërtetë ka qenë unifikim i madh i popullit, më vonë deklarata kushtetuese e 2 korrikut, ‘Kushtetuta e Kaçanikut’, Referendumi i vitit 1991, zgjedhjet nacionale 1992 etj” tha Haliti në intervistën e dhënë për dokumentarin “Expose” raporton “Gazeta Blic”.