Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka vlerësuar lart cilësinë e rrushit të këtij sezoni, duke theksuar ndikimin e veçantë të motit dhe punës së palodhur të fermerëve lokalë.
Ai për “Expose”, theksoi se, përkundër sasisë më të vogël të rrushit për shkak të ngricave, cilësia e këtij fruti është jashtëzakonisht e mirë.
“Cilësia e rrushit është jashtëzakonisht e mirë, për shkak të ngricave, sasi të rrushit kemi pas më pak. Parashihet që të kemi verë cilësore dhe rakí të mirë të rrushit nga kantina të shumta që e përpunojnë rrushin këtu në Rahovec,” u shpreh ai.
Latifi vijoi duke përmendur rëndësinë që bujqësia ka për ekonominë lokale dhe për komunitetin në përgjithësi.
Ai theksoi se Rahoveci mbetet një qendër kryesore e bujqësisë në rajon, ku mbi 3,200 fermerë aktivisht angazhohen në prodhim dhe përfitim nga subvencionet dhe pagesat direkte.
“Rahoveci është qendër e bujqësisë, njerëzit punojnë shumë. Pra, janë diku mbi 3 mijë e 200 fermerë që aplikojnë për subvencione dhe pagesa direkte. Njerëzit këtu punojnë shumë, punojnë me djersën e ballit dhe sigurojnë të ardhurat për mirëqenien e familjes së tyre, kjo neve na bën krenar,” theksoi ai.
Në fund, kryetari nënvizoi sukseset e produkteve bujqësore të Rahovecit në tregjet ndërkombëtare dhe diversitetin ekonomik të komunës.
“Prodhimet tona shkojnë në skajet më të larta të botës, pra përmes eksportit. Ne jemi të shquar edhe për veprimtari të tjera, jo vetëm për bujqësi,” tha ai, duke reflektuar një pamje të gjerë të zhvillimit ekonomik dhe potencialit të komunës./GazetaBlic/


