Lajme

S’kanë të ndalur dorëheqjet në VV, ja kush u tërhoq tani

01/26/2018 16:41
nga:A. R.

Në Lëvizjen Vetëvendosje dorëheqjet nuk kanë të ndalur. Pak minuta më parë, pas 13 viteve punë në Lëvizjen Vetëvendosje ka dhënë dorëheqje nga detyra e Sekretarit të Qendrës së VV në Besianë, Blerim Maqastena.

Maqastena këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi që ka bërë në llogarinë e tij në Facebook.

Ai thotë se bindja politike, sakrifica dhe përkushtimi, që dikur ishin vlera të padiskutueshme, sot janë zëvendësuar me lakmi, pozita e privilegje.

Po ashtu, “gjatë kohës sa isha në Lëvizje kam mësuar shumë. Ngritja dhe pjekuria politike ka ardhur përmes formave të ndryshme siç janë aktivitetet e shumta, protestat dhe tribunat, e deri tek takimi me shumë qytetarë prej të cilëve jemi motivuar e kemi vazhduar. Së bashku kemi kaluar momente të vështira e të rrezikshme, por edhe momente gëzimi e krenarie”, ka shkruar Maqestena ndër të tjerash në Facebook.

Shkrimi i plotë:

Të nderuar miq,

Sot, pas 13 viteve aktivitet, jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat e mia në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, nga detyra e Sekretarit të Qendrës në Besianë, nga delegat në Këshillin e Përgjithshëm dhe nga të qenurit anëtar.

I falenderohem z.Albin Kurti dhe të gjithë aktivistëve për punën dhe përpjekjet e përbashkëta 13 vite rresht. Falenderoj përzemërsisht aktivistët e Qendrës në Besianë, pjesë e të cilës kam qenë.

Gjatë kohës sa isha në Lëvizje kam mësuar shumë. Ngritja dhe pjekuria politike ka ardhur përmes formave të ndryshme siç janë aktivitetet e shumta, protestat dhe tribunat, e deri tek takimi me shumë qytetarë prej të cilëve jemi motivuar e kemi vazhduar. Së bashku kemi kaluar momente të vështira e të rrezikshme, por edhe momente gëzimi e krenarie.

Në angazhimin tim në Levizjen VETEVENDOSJE! përfshihen: greva e urisë në burgun e Lipjanit (Qershor 2006), rrahja brutale me duar lidhur në stacionin policor (Prill 2007), vuajtjet 68 ditëshe në burgun e Pejës, lendimet në fytyrë (thyerja e hundës) nga Njesia Speciale e Kosovës (Maj 2011), shumë ballafaqime të tjera, e sidomos rrahjet, maltretimet, torturat, para syve tonë, ndaj shokëve e shoqeve, vuajtjet e rënda që i kemi përjetuar në këto raste, edhe shumë e shumë raste të tjera të dhimshme që sot nuk dua ti permend. Të gjitha këto kanë qenë të shërueshme shpejtë, sepse ishim bashkë në organizim, bashkë në drejtim. Të gjitha këto i dedikohen Kosovës, qytetarët e të cilës gjetën shprehjen e tyre përmes Lëvizjes tonë.

Sot, kjo është përmbysur në organizatën e Lëvizjes. Bindja politike. sakrifica dhe përkushtimi, që dikur ishin vlera të padiskutueshme, sot janë zëvendësuar me lakmi, pozita e privilegje. Këtë na e tregon edhe gjuha me të cilën më kanë sulmuar mua dhe të tjerët, vetëm pse nuk pajtohemi me eleminimet politike që kishin marrur trajtë shqetësuese. Këtë gjë nuk mundem kurrë ta fali tek veprimet e Albin Kurtit. Ai me fushatë të organizuar, përmes njerëzve të afërt me të, nuk tregoi konsideratë për aktivistët, por mbi të gjitha, nuk u brengos fare kur shkeli mbi shpresat e qytetarëve. Këtë gjë nuk kishte të drejtë ta bënte. Kryetar edhe u bë, por besimi i qytetarëve në Lëvizjen VETËVENDOSJE! nuk do të kthehet kurrë më.

Albin, aktivistët që deri dje ishin shokë të ngushtë në mes veti i ktheve kundër njëri tjetrit, duke etiketuar e duke manipuluar. E keqpërdor besimin e pakusht që njerëzit e kishin për juve. Tani as njerëzit e afërt me juve nuk do të besojnë. Sepse besimi ka për bazë dashurinë për tjetrin. Këtë gjë ata nuk e kanë më, sepse ti u a mësove të kundërtën, Për 1 vit rresht dhe shembull për modelin e ri të aktivistit, vetëm e vetëm që të zgjedhesh Kryetar. Tani nuk e kam të qartë se çfarë të duhet bajraktari kur më askush nuk beson në juve.

Unë vazhdoj me mesimin e vlefshëm që “Padrejtesia diku është rrezik për drejtesinë kudo”, prandaj edhe po largohem, përfundimisht. Dua ta përsëris mirënjohjen që kam për aktivistët, bashkëfshatarët, familjarët e afërm dhe të largët, të gjithë ata që u kujdesen dhe që më strehuan në raste të veçanta, të gjithë shokët e shoqet që ishin çdo herë të gatshëm për ndihmë. Falenderoj përzemersisht të gjithë ata që falë meje janë rreshtu dhe e kanë përkrahur Lëvizjen VETËVENDOSJE! Shfrytëzoj rastin ta falenderoj një aktivistë të shkelqyer, rast i veçantë z.Ismajl Rama, i cili për pesë vite nuk mungoi në asnjë aktivitet që ne e kemi lajmëru, nuk mungoi edhe diten që i vdiq nëna, kreu varrimin në ora 12:00 kurse ne ora 18:00 erdhi në mbledhjen e Këshillit të Qendres, Gusht 2013. Edhe pse kaloi një operacion të rëndë në zemer dy javë më parë, nuk mungoi as në organizimin e zgjedhjeve për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Që në atë kohë garonte z.Visar Ymeri, Mars-2015.

I lus të gjithë ata që e lexojnë këtë letër të mos ju vie keq për 13 vitet e mia të kaluara në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Aty takova shokë dhe shoqe te shkekqyer/a, ishte nderë dhe krenari t’i takojë një organizimi të tillë.

Unë do të vazhdoj t’i jetësoj bindjet e mia politike si Këshilltar në Kuvendin Komunal të Besianës.

Përkushtimin, punën, mundin, sakrificen, çdoherë në çdo kohë ja kemi borxh vendit.

12/13/2019 00:40

“VV e LDK nuk e votuan Ligjin për Paga. Tash në vend se ta përgëzojnë Kushtetuesen, ata po e akuzojnë”