Lajme

Skandali që tronditi Policinë – Merren masa ndaj komandantit, shefit të hetimeve dhe zyrtarit policor

02/28/2020 21:40
nga:A. R.

Policia e Kosovës ka suspenduar nga puna Komandantin e Stacionit Policor, shefin e Hetimeve dhe një zyrtar të Stacionit Policor të Zubin Potokut për vjedhjen e dhomës së dëshmisë, një skandal që tronditi institucionin e Policisë të premten.

Policia ka thënë se ka realizuar sot një inspektim në Stacionin policor në Mitrovicën Veriore, më konkretisht në Zubin Potok, ku thotë se kanë hasur parregullsi.

Sipas një raporti të PK-së, me këtë rast është iniciuar suspendimi në nivel lokal të një zyrtari policor, shefit të hetimeve dhe komandantit të stacionit policor në Zubin Potok.

“Në ‘Dhomën e dëshmive” të SP Zubin Potok, gjatë inspektimeve nga komisioni inspektues, në përbërje prej pesë anëtarëve të autorizuar nga DRP Mitrovicë Veri, janë hasur parregullsi. Komisioni inspektues, bazuar në të gjeturat e deritanishme, ka vlerësuar se ka elemente të mundshme të veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe menjëherë përmes mekanizmave zyrtare ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK)”.

“Ndaj zyrtarit policor përgjegjës për ‘Dhomën e dëshmive’, shefit të hetimeve dhe komandantit të SP Zubin Potok, sipas procedurave të parapara disiplinore është iniciuar suspendimi nga niveli lokal, përderisa IPK dhe Prokuroria Themelore janë njoftuar për veprimet e ndërmarra”, thuhet në raportin e PK-së.

Sipas raportit të PK-së, sot njësitet policore në bashkëpunim me IPK-në, me autorizim të prokurorit kompetent, kanë realizuar një kontroll në shtëpinë e zyrtarit policor përgjegjës për ‘Dhomën e dëshmive’.

“Inspektimi i detajuara i ‘Dhomës së dëshmive’ do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, deri në nxjerrjen e konstatimeve të sakta dhe të plota lidhur me rastin”, thuhet tutje në raport.