Lajme

Skandal: Në klinikën e Neurologjisë “zhduken” mjekët, rrezikohet jeta e pacientëve (Video)

04/18/2019 14:18
nga:L H

Rastet kur mjekët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës mungojnë gjatë orarit të punës janë të shumta.

Pavarësisht se ata ka muaj që janë të detyruar të regjistrojnë hyrjet dhe daljet gjatë orarit të punës, një rast i tmerrshëm ka ndodhur të enjten në klinikën e Neurologjisë në QKUK.

Disa video incizime janë nisur në redaksinë e Gazetës Blic nga disa familjarë të pacientëve që kishin nevojë për tretman urgjent në këtë klinikë, e ku aty vërehet se mungojnë mjekët – neurologë dhe specialistët.

Një familjarë i joni ka pësuar sulm në tru, jemi udhëzuar si rast urgjent për në këtë klinikë, kemi ardhur këtu në orën 10 e 20 dhe asnjë neurolog apo specialist nuk ka qenë këtu. Familjari ka nevojë për tretman mjekësor me urgjencë për shkak të gjendjes së rëndë dhe askush nuk është përgjigjur. Një punëtor sigurimi na tha se ata janë në pauzë të drekës e cila sipas tij zgjat për më shumë se tre orë”, thotë një familjare që nuk ka dashur t`i përmendet emri e që videot i ka nisur në redaksinë e gazetës.

Këtë rrëfim ajo e ka dëshmuar edhe me video. Në të shihet se si ajo kërkon mjekët neurolog nëpër zyrat e tyre për të kërkuar ndihmë për familjarin e saj, por që askush nga mjekët nuk gjendej në zyrat e tyre edhe pse ishin në orar të punës.

Përveç familjarit tim aty pati edhe raste të tjera që kishin pësuar sulme në tru e që jeta e tyre varet shumë nga ndërhyrja e shpejtë e mjekëve, por që askush nuk merrej me ta sepse nuk ishin në vendet e tyre të punës. Kjo është e tmerrshme” tha ajo.

Gazeta Blic ka kërkuar një përgjigje nga zyrtarë për media në QKU, por ata kanë thënë se për këtë duhet të kontaktohet drejtori i klinikës së Neurologjisë Dr. Nexhmedin Shala.

Por, edhe përkundër insistimit të Gazetës Blic për të marrë një përgjigje nga drejtori i klinikës së Neurologjisë Dr. Nexhmedin Shala, ky i fundit nuk e ka hapur telefonin./Gazeta Blic

Video 1: Familjarët duke kërkuar sqarime në sportelin e kësaj klinike.

Pjesa 2: Familjarët duke kërkuar mjekët në këtë klinikë.