Lajme

Skandal || Kryetari i Prishtinës zbuloi që po operojnë pa leje, heshtin nga Spitali Amerikan

06/20/2019 15:02
nga:Gazeta Blic

Spitali Amerikan në Prishtinë është duke vepruar pa leje të shfrytëzimit të tokës komunal tash e sa kohë. Kjo pasi që komuna ka vendosur të mos ia vazhdojë kontratën për shfrytëzim.

Megjithë këtë, Spitali Amerikan ka refuzuar të jap sqarime lidhur me rastin. E kontaktuar nga “Gazeta Blic” zyrtarja për media Teuta Berisha, është shprehur e pa interesuar për deklarim edhe dy ditë pas pranimit të pyetjeve përmes postës elektronike lidhur me këtë çështje.

I pari i kryeqytetit Shpend Ahmeti, Në Puls të KTV-së, ka thënë se deri të vendimi për mos vazhdim të kontratës ka ardhur, për shkak të mos përmbajtjes së marrëveshjes paraprake, për operimin e dy pacienteve pa pagesë.

“Dikush në Komunë, ato ekzistojnë, ia ka dhënë në shfrytëzim tokën e komunës, zotit Dalladaku, për të ndërtuar spitalin, që në kontratë e ka emrin, Qendra Kardiale e Kosovës. Në kthim, Komuna e Prishtinës ka pas me i bë nga dy operacione falas në muaj. Kontrata ishte 10 plus 10 për tokë, jo për ndërtesë. Ka skaduar 10-shi. Kontrata shkruan që automatikisht ripërtërihet edhe për 10 vjet tjera. E kam dërguar një pyetje për AUK-un njëherë, që ka pas njëjtë rastin, nëse ligji e ndryshon më 2013, a vazhdon automatikisht plus dhjetë të tjerë, e ministria më ka thënë jo dhe se duhesh me e qite në konkurrencë. Kontratën s’ia kemi vazhduar. Ajo ishte 10 vjet nga momenti i parë. Toka tash është pa kontratë. S’ia vazhdoj. Në tokën tonë e ka një objekt që s’është i joni. Mundemi të kërkojmë të na lirohet toka, por çka t’i bëjmë objektit. Nëse vendos të shpronësojmë, kosto e ndërtimit ka qenë rreth pesë milionë euro”, ka thënë Ahmeti.

Në parcelën ku aktualisht vepron Spitali Amerikan, Ahmeti është i mendimit se aty duhet ndërtohet spitali i Prishtinës.

“S’ka vend më të mirë. Ka shumë opsione, por ndoshta po them ka probleme tjera ligjore. Por toka është e jona, ka skaduar 10-vjeçari, e s’ia kemi vazhduar. Kanë ardhur nga Spitali Amerikan sepse donin ta blinin, por u kemi thënë nuk transferohet shfrytëzimi. Përpos që s’na është paguar asnjë cent, asnjë pacient nuk është operuar falas”, ka deklaruar më tej ai.

Ndryshe, kohëve të fundit në media ka qarkulluar një video incizim rreth “aferës së fajdeve” për ndërtimin e Spitalit Amerikan, ku janë implikuar edhe emrat e krerëve të lartë institucional. Njëri nga ta është edhe Kryekuvendari Kadri Veseli, për të cilin, protagonistët që shihen në video incizime thonë se ka marrë 200 mijë euro, për të dhënë leje të ndërtimit në atë parcel.

Rrëfimi i plotë i Kadri Rexhepit për skandalin e 200 mijë eurove: Tregon ‘lidhjen’ me Kadri Veselin

Këto deklarime i ka hedhur poshtë vet kryeparlamentari Veseli, duke mohuar madje se ka pasur ndonjëherë takim me ta.

Ai ka kërkuar llogari nga organet e drejtësisë për zbardhjen e të gjithë skemës. Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, Veseli thotë se i gjithë procesi, nga fillimi deri në fund duhet të hetohet dhe të ketë transparencë të plotë.

“Ajo që tashmë është kuptuar botërisht është fakti se krejt skema e mashtrimit në video-incizimet e publikuar ndërlidhet me ndërtimin dhe licencimin e një spitali privat. Dhe ende deri tash, në opinionin publik nuk është sqaruar rrjedha e licencimit të këtij spitali, që ka ndodhur ne vitin 2015 dhe për të cilin dyshohet se është pasojë e një skeme të korrupsionit institucional. Duke e konsideruar tepër të rëndësishme zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, kërkoj urgjentisht nga organet përgjegjëse të rendit dhe ligjit që të kryejnë detyrat e tyre me profesionalizëm, përgjegjësi dhe transparencë të plotë për hetimin dhe ndjekjen e të gjithë personave përgjegjës dhe të dyshuar për këtë aferë”, ka shkruar ndër të tjera Veseli.

Veseli kërkon hetime të plota për aferën e fajdeve – përgjegjësi nga organet e rendit dhe ligjit

Përveç Veselit, në “aferën e fajdeve” është përmendur edhe emri i nënkryetarit të Kuvendit Xhavit Haliti, i cili më vonë ka thënë se nuk e ka takuar kurrë dhe nuk e njeh Kadri Rexhepin, të arrestuarin e aferës “Fajde”./Gazeta Blic/