Lajme

“S’ka zgjedhje të parakohshme” – Shala i PSD-së: PDK-ja e nënshtruar totalisht ndaj Kurtit

05/15/2024 19:23
nga:G C

Azdren Shala nga PSD-ja ka thënë se takimi i fundit mes kryeministrit Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi ka të bëjë me interesa të ngushta të të dyja palëve.

Madje Shala për GazetaBlic thekson se PDK-ja është e nënshtruar totalisht ndaj kryeministrit Kurti, teksa shton se ata dëshirojnë futjen në koalicion qeverisës me VV’në.

“Partia Socialdemokrate zhvillimin e fundit rreth takimit Kurti – Krasniqi e sheh në dritën e asaj që ka të bëjë me interesa të ngushta të të dyja palëve. Albin Kurti dhe Vetëvendosja duke dashur që ta zhvendosin vëmendjen nga dështimi i Kosovës në KiE përmes këtij takimi duan ta plasojnë spekulimin e zgjedhjeve të parakohshme”, tha Shala.

“Gjithashtu, PDK nga ana tjetër përmes këtij nënshtrimi total ndaj Kurtit, e dëshiron vetëm një gjë – pushtetin, pra futjen eventuale në koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje”, shton ai.

Shala është skeptik që mund të shpërbëhet Kuvendi sepse sipas tij, Kurti nuk e rrëzon vetën.

Qëllimi i kryeministrit Kurti, sipas Shalës, është ta instrumentalizojë krejt opozitën parlamentare në mënyrë që ata ta votojnë shpërbërjen e Kuvendit.

“Sa i përket asaj se a mund të shpërbëhet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje nëse LVV dhe PDK bëhen bashkë, ne besojmë që jo. Kurti nuk dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje duke krijuar përshtypjen se po dorëzohet, prandaj ai nuk e voton rrëzimin e vetes”, tha Shala.

“Qëllimi i Kurtit është i qartë, ta instrumentalizojë krejt opozitën parlamentare në mënyrë që ata ta votojnë shpërbërjen e Kuvendit. Por deri më tani, skenari i një opozite që e voton shpërbërjen e Kuvendit nuk është i mundur. Opozita parlamentare e ka kuptuar kurthin ku Kurti i ka futur që tri vite, edhe pse pak vonë. Prandaj, ne nuk besojmë se do të ketë zgjedhje të parakohshme”, përfundon Shala për GazetaBlic.

Kurti i interesuar për caktimin e stinës së zgjedhjeve, AAK-ja vazhdon të kërkojë dorëheqjen e tij

Humolli: Nëse Kosova i dorëzohet miqëve të Serbisë, atëherë shpërbëhet Kuvendi

Shpërndarja e mundshme e Kuvendit, flet Duda Balje: Ky është qëndrimi i saj