Lajme

S’ka varre në Kosovë për ata që u vranë në Siri

05/15/2019 18:20
nga:Gazeta Blic

Xhihadistët kosovarë që shkuan në luftën e Sirisë, nuk u kthyen më as të vdekur në vendlindje. 80 prej tyre nga 132 kosovarë sa raportohet të kenë shkuar në Siri, janë vrarë në zonat e luftës. Disa prej familjeve në Kosovë kanë hapur vetëm të pame për ta. Varr për asnjërin nga ta në vendlindje nuk ka. Që shtatë vite trupi i asnjë kosovari i cili është vrarë në Siri nuk është kthyer.

Rroni 23-vjeçar, Filloreta 27-vjeçare, Melosi veç 17-vjeçar e Nazmija nga Gollaku janë vetëm disa prej kosovarëve që janë vrarë në vatrat e luftës në Siri. Trupat e asnjërit nga këta kosovarë të vrarë nuk dihet se ku janë varrosur. Familjet varr për ta nuk kanë hapur as në Kosovë.

Viktima e fundit e raportuar se vdiq në Siri është Rroni nga Prishtina. Ai dyshohet se javën që e lamë pas ndërroi jetë në zonat e konfliktit si dhe ishte pjesë e pjesë e grupit ‘Al-Nusra’.

Në Siri në marsin e këtij viti ishte vrarë edhe Filloreta Kastrati nga Kamenica. Ajo kishte lënë pas 2 fëmijë. E familja e saj i kishte hapur të pamën vajzës e cila që në vitin 2014 i ishte bashkuar Shtetit Islamik dhe që pas katër viteve qëndrim ishte vrarë. Fatin e njëjtë si të Filloretës e kishte pasur edhe Nazmija.

Por as edhe një varrë me ndonjë trup të këtyre të vrarëve në Siri nuk është hapur në Kosovë. Asnjë trup i ndonjë personi që ka shkuar atje, asnjëherë nuk është kthyer në Kosovë.

Institucionet kosovare të sigurisë nuk kanë asnjë të dhënë për fatin e trupave të kosovarëve të vrarë në zonat e konfliktit në Siri.

Policia e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme si dhe Ministria e Drejtësisë kanë pohuar se nuk kanë informata rreth kthimit të trupave të kosovarëve që kanë shkuar në Siri.

“Nuk kemi informata për trupat e tyre”, kanë thënë ministrat Abelard Tahiri e Ekrem Mustafa për Express.

Sipas Policisë së Kosovës, numri i personave të kthyer në Kosovë ose edhe në vendet tjera prej nga kanë udhëtuar është 132, përfshirë këtu 120 meshkuj, 6 gra dhe 6 fëmijë.

Numri i kosovarëve që u bënë pjesë e luftës së Sirisë filloi të rritet në fund të vitit 2012 dhe në fillim të vitit 2013.

Numri i personave të vdekur në zonën e konfliktit është 80, prej të cilëve 77 persona të gjinisë mashkullore të vrarë, ndërsa tre persona, përfshirë këtu një person i gjinisë mashkullore, një person i gjinisë femërore dhe një fëmijë i lindur në zonën e konfliktit raportohet të kenë vdekur nga shkaqe natyrore.

Ndërkohë në zonën e konfliktit ende kanë mbetur rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.