Fit&Sexy

Sindromi i rrallë që dyshohet se lidhet me Covid-19 i bën për spital 15 fëmijë amerikanë

05/05/2020 13:08
nga:N S

Pesëmbëdhjetë fëmijë në Nju Jork janë dërguar në spital me simptoma të një sindromi inflamator që dyshohet se ka lidhje me koronavirusin, njoftoi Departamenti i Shëndetësisë i këtij qyteti.

Pacientët janë të moshës 2 deri 15-vjeçare. Disa prej fëmijëve të shtrirë në spital kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus.

Disa fëmijë kishin temperaturë të lartë, simptoma të sëmundjes Kawasaki dhe simptoma të sindromit të shokut toksik, shkruan “CNN”.

Sëmundja Kawasaki shkakton inflamacion në muret e arterieve dhe mund ta kufizojë qarkullimin e gjakut drejt zemrës. Zakonisht është e trajtueshme dhe fëmijët shërohen pa probleme, por ajo mund të jetë edhe vdekjeprurëse.

Së paku pesë fëmijë të shtrirë në spital kishin nevojë për ventilatorë dhe më shumë se gjysma e pacientëve patën nevojë për përkrahje të shtypjes së gjakut. Deri më tani, nuk është shënuar asnjë viktimë e këtij sindromi në Nju Jork.