Opinion

Si ra Stambolli!

06/26/2019 00:25
nga:Mustafa Bajrami

Në librin më të ri të Noel Malcolm të titulluar “Useful Enemies / Armiqtë e dobishëm” të cilën e botoi “Oxford Press” tre muaj më parë, qysh në faqen e parë autori jep të kuptohet se rënia e Kostandinopojës është njëra prej ngjarjeve më të mëdha që kanë ndodhur në histori.

Duke cituar tekstualisht Casimo de’ Medicin, princin e Venedikut, shkruan: Rënia e kryeqytetit bizantin është ngjarja më tragjike që i kishte ndodhur Evropës për shekuj. Njëjtë sikur ky, thotë Malcolm, mbreti i Napolit Alfonsi V, ishte i trishtuar deri atje sa të nesërmen u dërgon letra mbretërve të Evropës duke kërkuar prej tyre unitet dhe luftë për Kostandinopojën. Në anën tjetër, pak para se të mbaheshin zgjedhjet në Stamboll, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan i drejtohet turmës së madhe të njerëzve në Stamboll me këto fjalë: I keni dy rrugë përpara; ose ta votoni Binali Yildirim, ose do ta votoni el-Sisin. Natyrisht, duke aluduar në presidentin egjiptian, gjeneralin el-Sisi i cili sot konsiderohet ndër njerëzit më të zëshëm në botë kundër Turqisë. Zgjedhjet e fundit në Stamboll, po kaq ishin të rëndësishme për AKP-në dhe Erdoganin, president i Turqisë!

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

S’do mend se zgjedhjet e fundit në Stamboll ishin ndër më të rëndësishmet në historinë e re të Turqisë. Ekrem Imamoglu korri një fitore të madhe në këto zgjedhje të përsëritura të Stambollit. Kjo fitore nuk ishte befasi. Ishte e pritur. Njëjtë kështu i thash një miku gazetar turk që më telefonoi nga Stambolli. “Kush do t’i fitojë zgjedhjet” më pyeti ai, “Do t’i humb Yilldirimi”, ja ktheva.

Gara për Stambollin kësaj radhe nuk ishte garë sa për t’i fituar zgjedhjet. Ishte garë mes Imamoglus dhe Erdoganit.

Mes presidentit aktual të Turqisë, dhe tani, me sa duket, kandidatit të vetëm potencial për president në zgjedhjet e vitit 2023. I pari përfaqëson frymën që akuzon partinë e të dytit se e kishte lënë kombin turk për dekada të varfër, ndërsa i dyti, partinë e cila ka akuzuar të parin se po e largon Turqinë nga rruga e Ataturkut. Gara e djeshme për Stambollin ishte garë për të ardhmen dhe fytyrën e Turqisë.

Të shtojmë edhe një fakt tjetër të rëndësishëm. Tre njerëzit dikur më të fuqishëm në AKP më nuk janë me Erdoganin. Kohë më parë, Ahmet Davutoglu, Abdullah Gul dhe Ali Babacan i kishin ndarë rrugët me ish kryetarin e tyre. Njëjtë e ndoshta për të njëjtat arsye si dikur Erdogani me mësuesin e tij, Erbakanin. Në kohën kur Erbakani kishte arrit të bëhej ndër personalitetet më me ndikim në botën islame, Erdogani ishte larguar prej tij. Njohësit e mirë të Turqisë e kishin përshkruar këtë ngjarje si refuzim i Erdoganit ndaj qëndrimeve radikale të Erbakanit ndaj Perëndimit.

Tjetra, ishte shumë normale që Guli, Davutoglu dhe Ali Babacani të kishin simpatizantët dhe votuesit e tyre në Stamboll. Tejet ambiciozë në politikë, që të tre këta politikanë kanë zbehur sadopak fuqinë e AKP-së në Stamboll. Shikuar edhe nga kjo perspektivë, fitorja e Ekrem Imamoglus i obligohet në masë ndarjeve brenda AKP-së. Të mos harrojmë, këta tre ish-AKP-ist të regjur kishin shpresa të mëdha se do të përfitojnë nga rrethanat e reja që mund të krijoheshin në Stamboll.

Ama, siç duket, fitorja e thellë e Imamoglus i zbehu shpresat e tyre. Edhe nëse në të ardhmen Imamoglu bën ndonjë gabim sa për t’i humbur zgjedhjet e ardhshme, votuesit liberalë të metropolit kurrë nuk do ta votojnë kandidatin e AKP-së. Gjithashtu, as votuesit e AKP-së më nuk do t’i mbështesin njerëzit të cilët u ndanë nga Erdogani. Së këndejmi, me që Imamoglu ka të bëjë me Erdoganin, sepse kolltuku i presidentit është në pyetje, ky i fundit do t’i anatemojë tre ish-partiakët e vetë e do të merret seriozisht me pretendentin kryesor të karriges së presidentit, me Ekrem Imamoglun.

AKP-ja e Erdoganit në këto zgjedhje ka gabuar rëndë në dy raste. I pari është sepse ajo me këmbëngulje kërkonte përsëritjen e zgjedhjeve, ndërsa i dyti, si vazhdimësi e të parit, AKP-ja harxhoi arsenalin e saj duke bërë përpjekje ta diskreditojë personalitetin e Imamoglus. Betejë e madhe Ad-Hominem ishte zhvilluar mes tyre. Dhe, sado që Binali Yildirim njihet për politikan i përmbajtur, njerëzit përreth tij nuk kursyen gjuhën denigruese kundër Imamoglus. Qytetarët e Stambollit nuk e duruan atë gjuhë kaq të ashpër kundër tij. Gazetarët e afërt me AKP-në shkuan aq larg sa shkruan se Imamoglu nuk e përfaqëson mbase as CHP-në, se ai nuk është as brum i Turqisë, por është prodhim i FETO-s.

Është produkt i armiqve të Turqisë, i atyre që përgatitën, që nxitën dhe që realizuan grusht shtetin e 15 korrikut të vitit 2016.

AKP-ja i humbi pikërisht për shkak të ekonomisë. Kriza ekonomike e vitit 2001 ishte ajo që e pruri AKP-në në pushtet, dhe, kriza e tanishme ekonomike është ajo që po i lëkundë themelet e AKP-së. Shto kësaj edhe rritjen e nivelit të nepotizmit që po gërryen nga brenda AKP-në. Mund të ketë edhe shkaqe tjera, por, krahasuar me këto që i përmendëm, janë muhabete me pak rëndësi.

Gjithsesi, Bilani Yildirim e uroi Imamoglun për fitore. Atë e uroi edhe presidenti Erdogan. E uruan gjithashtu liderë të tjerë të politikës turke, vetëm Bahceliu u tregua i rezervuar.

Në përgjithësi, këto zgjedhje treguan se në Turqi megjithatë ka demokraci. U tregua se në Stambollin e sotëm, Kostandinopoja e dikurshme, respekton vullnetin e popullit. E pra, as sulmet që i janë bërë Erdoganit si diktator, nuk qëndruan. Sipas nesh, ato sulme të qëllimta në masë mund të lexohen si tendenca për denigrimin e personalitetit të tij e ndoshta edhe për diskreditimin e emrit të Turqisë në arenën ndërkombëtare.

Të mos harrojmë, demokracia e vërtetë nuk tregohet kur merret pushteti nëpërmes kutive të votimit, por, kur dorëzohet qetë nëpërmes kutive të votimit.