Opinion

“Si ndryshoi perceptimi ynë përmes ekspozitës ‘Testament’?”

06/24/2025 17:10
nga:Kiki Rrahmani

“Si ndryshoi perceptimi ynë përmes ekspozitës ‘Testament’?”

Një pasqyrë e realitetit të harruar dhe një ftesë për njohje të reja

Ekspozita “TESTAMENT” nuk është vetëm një ngjarje kulturore ajo është një thirrje për ndërgjegjësim, një reflektim kolektiv dhe një rrëfim që kërkon të rishkruhet: rrëfimi për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.
Nëpërmjet portreteve të fuqishme dhe rrëfimeve të 20 profesionistëve, ekspozita me fotografi nga Arben Llapashtica dhe e kuruar me delikatesë nga Eliza Hoxha, u kthye në një dritare ku publiku pa jo vetëm fytyrat, por edhe shpirtin, përkushtimin dhe arritjet e këtyre individëve. Këta janë njerëz që kanë sfiduar stereotipet, kanë kapërcyer pengesa sistemike dhe sot janë mësues, artistë, doktorë, muzikantë, ushtarakë, drejtues institucionesh e shumë më tepër.

Ekspozita që rrëzoi klishetë
Për shumë dekada, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë përballur me një narrativë të njëanshme që i lidh ekskluzivisht me margjinalizimin, varfërinë dhe mungesën e mundësive. “Testament” e sfidoi këtë optikë të pjesshme, duke vendosur në qendër të vëmendjes shembuj suksesi dhe dinjiteti. Ishte një ekspozitë që nuk kërkoi mëshirë, por ofroi njohje.
Kuratorja artistike e ekspozitës, Eliza Hoxha, theksoi:
“Kjo ekspozitë mundohet t’i sjellë këto personalitete edhe për ne që jo gjithmonë jemi takuar, por edhe brenda vetë komuniteteve për t’u njohur më mirë dhe për të vënë dritë mbi ata e ato që ia kanë dalë.”
Në galerinë ku është shfaqur ekspozita, vizitorët u përballën me portrete që flisnin më shumë se fjalët: nga policja Adelina Qorri, te piktorja Fahrie Mehmeti, nga muzikanti Kafu, te ministër Elbert Krasniqi, nga pianisti Besim Qorri e deri te doktor Jetmir Fazlija, poçari Luan Qukani, ushtari Benjamin Bajrami, e shumë të tjerë. Këta emra jo vetëm që sfidojnë perceptimet e vjetra, por shërbejnë si fanarë për brezat e rinj, siç e përmendi edhe vetë Hoxha.

“Testament”: Më shumë se një emër, një simbolikë
Pse “Testament”? Drejtori i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, Isak Skenderi, e shpjegon qartë këtë zgjedhje:
“Deshëm që përmes portreteve të njerëzve të zakonshëm nga vendet e tyre të punës të tregojmë se këta qytetarë janë pjesë aktive e shoqërisë, kur ekzistojnë mundësitë dhe vullneti për t’i pranuar të gjithë.”
Fjala “testament” nuk është vetëm një kujtim për të ndjerin Kujtim Paçaku, romolog, poet dhe ish-deputet, por edhe një trashëgimi kulturore e gjallë që këto komunitete i japin shoqërisë kosovare. Është një kujtesë se identiteti i një komuniteti nuk përcaktohet vetëm nga sfidat, por edhe nga kontributet, vizioni dhe vlera që sjell në shoqëri.

Sipas znj. Vesa Batalli, Drejtoreshë e Programeve në “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”,
“ Organizata, jonë nuk është vetëm një emër por është një zotim për të treguar edhe anën tjetër të medaljes. Është zëri i atyre që për shumë kohë u lanë në heshtje, është dorë që mbështet, është urë që lidh. Në shoqërinë tonë, ndasitë shpesh ndodhin pa zhurmë në heshtje, në pamje, në përjashtime që nuk thuhen me fjalë. Por arti, si kjo ekspozitë nuk hesht. Ekspozita Testament, ngre zërin, sfidon normalitetin dhe na e kthen vëmendjen aty ku duhet: tek njeriu, tek barazia, tek mundësia. Në fund, më lejoni të them me bindje të plotë se ndryshimi nuk vjen vetë, ai ndërtohet me projekte si kjo, me portrete si këto, me bashkëpunim, dhe me respekt për secilin që jeton në këtë vend. Le ta bëjmë këtë ekspozitë jo vetëm një kujtim, por një nisje të re drejt një shoqërie më të drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe më humane”.

Një reflektim personal dhe një frymëzim kolektiv
Ndër personazhet e ekspozitës ishte edhe Indra Jashari, mësuese dhe modele frymëzuese për vajzat e reja. Në fjalët e saj, ndjehet krenaria dhe përgjegjësia për të qenë pjesë e kësaj nisme:
“Është kënaqësi të shoh veten në këtë mes të shumë profesionistëve të ndryshëm. Dua t’u them të gjitha vajzave të komuniteteve tona se rruga mund të jetë e vështirë, por sa herë rrëzohesh, mund të ngrihesh më e fortë për të ecur përpara.”
Përmes këtyre rrëfimeve, ekspozita nuk u bë thjesht një pasqyrim i realitetit u bë frymëzim. Ajo e rikonstruktoi mënyrën se si i shohim këto komunitete: jo si subjekte të përjashtimit, por si pjesëmarrës aktivë dhe të barabartë në jetën shoqërore.

Ekspozita që ndërlidh breza dhe shemb murin e padukshëm
“Testament” është më shumë sesa një seri fotografish. Është një urë midis brezave, një platformë që nxit dialog dhe një deklaratë e qartë se barazia dhe diversiteti janë jo vetëm të mundshme, por të domosdoshme për një shoqëri të drejtë.
Në një kohë kur paragjykimet janë të ngulitura thellë, ekspozita si kjo janë jo vetëm të mirëpritura, por urgjente. Ato na kujtojnë se potenciali është universal, por mundësitë duhet t’i bëjmë të tilla. Dhe siç tregoi “Testament”, kur u jepet hapësira e duhur, historia mund të rishkruhet me dinjitet, krenari dhe shpresë.
Në fund të ditës, ekspozita “Testament” nuk na ndryshoi vetëm perceptimin për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ajo na ndryshoi mënyrën si e shohim veten si shoqëri. Dhe ky është një testament që ia vlen të dëgjohet, të përqafohet dhe të çohet përpara.