Lajme

Si i sheh Dardan Velija sloganet e partive politike?

09/14/2019 01:22
nga:Gazeta Blic

Analisti politik, Dardan Velija, ka komentuar sloganet e zgjedhura të partive politike për të bërë fushatën për zgjedhjet e 6 teorit.

Ai për Lëvizjen Vetëvendosje tha se kanë përdorur shprehje popullore për të treguar për ndryshimin që synojnë të sjellin.

“Vetëvendosja me sloganin “Erdhi Dita” kanë tentuar të godasin edhe PAN-in që quhej koalicioni i natës. Prej koalicionit të natës tash erdhi dita ngërthen në vete ndryshimin e madh dhe të shumëpritur”.

“Varet çfarë ngarkese ideologjike i jep termit revolucion, por mund ta quash edhe ashtu. Ndryshim i lëvizjes dhe transversales. VV e përdor edhe një slogan “Me Albinin përpara na priftë e mbara” që rimon dhe i atribuohet Albinit me një gjuhë popullore, një gjuhë që përdoret kur fillon diçka e re. Në qoftë se VV e synon elektoratin e ri nuk mendoj se janë të duhura ngjyrat që i kanë përdorë sepse është dashur më të gjalla”.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Velija në Analiza Zgjedhore të Klan Kosovës e quajti se brendin më të fuqishëm.

“Brendi LDK është më i fuqishëm për shkak të jetëgjatësisë. LDK e ka të vështirë të largohet nga praktikat e së kaluarës. Besë dhe lidhje janë emra të gjinisë femërore që në fushatën e LDK-së po potencohet shumë gruaja në politikë. Pika në fund nuk është e rastësishme. Besëlidhje dhe pikë”.

“LDK është në një proces të rikuperimit dhe kjo shkon edhe në atë drejtim që të do të bëjnë një lidhje me elektoratin e ri duke e dëgjuar kërkesën e elektoratit për të fuqizuar partinë me të rinj”.

“Tjetri slogan “Me Vjosën e potencon fuqinë elektorale të kandidates. Përdoret dy gishti i LDK-së që ka qenë shenja identifikuese e Kosovës dhe kanë lidhje emocionale me viktorinë e Rugovës. LDL do ta ketë të vështirë të largohet nga brendi i vet”.
Analisti politik për sloganin e PDK-së, “Të Ndërtojmë të Ardhmen për Ty, për Shtetin”, tha se po i përdorin veprimet që i kanë bërë gjatë pushtetit për të treguar vazhdimësinë edhe në të ardhmen.

“Ndërtojmë fillon slogani dhe kjo është valide sepse kanë ndërtuar rrugë, autostrada dhe me këtë ka tentuar ta vënë në kontestin e së ardhmes. Por për një parti që ka qenë në pushtet është e vështirë që të ndërtohet një slogan dhe të fitosh besueshmërinë”.

Ndërkaq, për sloganin e AAK-së “100% shtet. Dije, guxim dhe përkushtim”, Velija tha se ngjyrat janë zgjedhur për tërhequr më shumë rininë. Ai gjithashtu tha se taksa ka qenë fjala më e përsëritur gjatë mandatit të Ramush Haradinajt.

“Nëse shihet si e tërë për dallim prej PDK-së kjo flet më shumë se si do ta bëjnë. Pra me guxim, dije dhe përkushtim. Kombinimi i ngjyrave që synon ta targetojë rininë. Ka shumë elemente dhe më së shumti ngjyra deri më tani. 100 përqindëshi do të mbahet në mend sepse ka qenë fjala më e përsëritur tërë vitin”.

“Po perceptohet që është slogan se do të fitojnë. Janë munduar që ta prekin ndërtimin e konsensusit për ndërtimin e shtetit. Është i shkurtë as nuk mund ta kritikosh por as ta laborosh. Nuk kanë rrezikuar shumë”.