Lajme

Si e parasheh Statuti i LDK-së zgjedhjen e kryetarit të ri?!

02/26/2021 09:29
nga:Gazeta Blic

Kur kanë mbetur vetëm edhe dy javë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, në opinion po qarkullojnë disa emra për ta marrë drejtimin e partisë, pas dorëheqjes së Isa Mustafës.

Pos Anton Qunit e Melihate Tërmkollit që edhe publikisht e kanë shpallur kandidaturën, sipas burimeve të Gazeta Blic janë tre kandidatë favorit për ta marrë drejtimin e kësaj partie.

Lutfi Haziri, kryetar aktual i Gjilanit, Kujtim Shala anëtar i Kryesisë dhe Lumir Abdixhiku, shihen si tre emrat e mundshëm për ta marrë timonin e LDK-së, pas dorëheqjes së Mustafës, pas debakllit zgjedhor të 14 shkurtit.

Por, cilat janë procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së?!

Neni 27 në statutin e LDK-së thotë se kryetari i këtij subjekti mund të japë dorëheqje pa i skaduar mandati.

Në rast se kryetari i LDK-së shkarkohet apo jep dorëheqje, atëherë saktësohet se brenda 60 ditësh duhet të thirret Kuvendi i LDK-së.

“27.1 Për punën e tij, Kryetari i përgjigjet Kuvendit të LDK-së. Me propozimin e 1/3 së anëtarëve të Kuvendit, mund të ngrihet çështja e votëbesimit të Kryetarit. Votimin për besim mund ta ngrejë edhe vetë Kryetari. 27.2 Me votim për shkarkim, në përputhje me nenin 21, pushon mandati i Kryetarit të LDK-së.

27.3 Kryetari mund të japë dorëheqje para skadimit të mandatit. 27.4 Në rast të paragrafit 2 dhe 3 të nenit 27, duhet të thirret Kuvendi i LDK-së, në afatin prej 60 ditësh”, thuhet në statut.

Neni 25 në statutin e LDK-së e saktëson se kryetari i këtij subjekti votohet në Kuvend të LDK-së me votim të fshehtë.

Kandidimi për kryetar bëhet në Kuvend. Secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm.

Në rast se Kuvendi nuk aprovon më shumë se një kandidaturë, atëherë Kuvendi vendos për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për Kryetar. Kryetari i LDK-së njëkohësisht është kryetar i Kuvendit, i Këshillit të Përgjithshëm dhe i Kryesisë së LDK-së.

Ani pse statuti i LDK-së thotë se kryetari i ri duhet të votohet brenda 60 ditësh, Isa Mustafa kishte thënë para mediave se një gjë të tillë do ta bëjë shumë më herët.

“Në shenjë të respektimit të kësaj vote dhe të hapjes së rrugëve të mëtutjeshme për riorganizim të LDK-së unë sot e kam njoftuar kryesinë që do ta thërras kuvendin për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, me statut i kemi 60 ditë po unë do ta bëjë këtë shumë më shpejt”, tha Mustafa.

Tashmë disa zyrtarë të LDK-së kanë thënë se mund të jenë kandidatë për kryetar të subjektit.

Vjosa Osmani tregon se a do të kthehet në LDK

04/16/2021 07:19

Kreu i KQZ-së në Shqipëri tregon nëse të izoluarit me COVID-19 do të votojnë në zgjedhjet e 25 Prillit