Shtyhet rikthimi i shumëpritur në ring i Mike Tyson. Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, do të duhej të sfidonte në 20 korrik youtuberin Jake Paul, por ndeshja e programuar për t’u zhvilluar në Arlington të Teksasit, është pezulluar për shkak të problemeve të Tyson.
Iron Mike, një ndër boksierët më të mirë të të gjitha kohërave, tashmë 57-vjeç, është ndier keq fundjavën e kaluar gjatë një fluturimi nga Miami në Los Angeles, dhe menjëherë pas zbarkimit në aeroport i është dhënë ndihma e parë dhe më pas i është nënshtruar edhe ekzaminimeve mjekësore.
Sipas stafit të tij bëhet fjalë për problemet me ulcerën që prej kohësh shqetësojnë ish-kampionin. “Gjatë konsultës së të enjtes me mjekët që janë marrë me problemet e tij të fundit me ulcerën, rekomandimi i tyre ishte që Mika Tyson të bëjë vetëm stërvitje minimale ose shumë të lehtë në javët e ardhshme, dhe më pas të provojë të stërvitet sërish pa kufizime”, – deklaruan organizatorët e takimit.
Tani për tani nuk është caktuar një datë tjetër për duelin e ekzibicionit, por gjithsesi mediat amerikane bëjnë të ditur se më shumë mundësi do të zhvillohet në fund të vitit.