Pas shtyrjes së mbledhjes së Kuvendit Komunal të Gjilanit për të premten, kanë folur nga Partia Demokratike e Kosovës.
Riad Rashiti, kryetar i degës së PDK-së në Gjilan ka theksuar për Gazeta Blic se sot gjatë ditës pritet të takohen me kryetarin e ri të Gjilanit, Alban Hyseni për të vazhduar negociatat.
“Gjatë ditës do të takohemi me drejtuesit e Vetëvendosjes për të vazhduar negociatat për mundësinë e bashkëqeverisjes”, tha Rashiti për Gazeta Blic.
Ai e ka konfirmuar se PDK po e kërkon pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe 4 drejtori.
Në anën tjetër, Gazeta Blic merr vesh se “bllokada” ka ndodhur për shkak të postit të kryesuesit.
Derisa PDK e do me çdo kusht këtë post, nga Vetëvendosje janë të gatshme që PDK-së t’ia japin nënkryetarin, dhe katër drejtoritë e kërkuara.
Ndryshe, mbrëmë vonë kishte një takim ndërmjet Riad Rashitit të PDK-së me Alban Hysenin e Vetëvendosjes, por pa ndonjë marrëveshje përfundimtare.
Kuvendi Komunal i Gjilanit do të mbajë mbledhjen më 7 janar.Mbledhja ka qenë e planifikuar për sot më datë 5 janar, por është shtyrë.
Sipas njoftimit zyrtar të komunës së Gjilanit, mbledhja shtyhet për 7 janar 2022, ditë e premte.
Komuna e Gjilanit mund të shkojë në zgjedhje për asamble komunale në rast se dështon zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit.
Të premten Gjilani e zgjedh kryesuesin e Kuvendit ose shkon në zgjedhje