Dronët që fluturojnë pranë aeroporteve kryesore ose avionëve po krijojnë në Gjermani një rrezik në rritje për trafikun ajror, njoftoi Shërbimi Gjerman i Sigurisë Ajrore.
Në hapësirën ajrore gjermane po shtohen gjithnjë e më tepër rastet e rrezikshme kur dronët hyjnë në trajektoret e avionëve. Sipas Shërbimit Gjerman të Sigurisë Ajrore (DFS) deri në fund të nëntorit të këtij viti janë regjistruar 208 ndërhyrje të rrezikshme në trafikun ajror të shkaktuara nga dronë. Kjo përbën një rritje të dukshme krahasuar me 149 ngjarje të tilla të regjistruara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Madje është tejkaluar edhe rekordi vjetor prej një totali prej 161 rastesh të regjistruara në vitin 2024.
DFS regjistron në përgjithësi vetëm rastet kur dronët u afrohen në një distancë të rrezikshme avionëve civilë ose aeroporteve. Kur në zona të ndaluara shihen dronë aeroportet kryesore pezullojë fluturimet. Në shumicën e rasteve mbetet e paqartë se kush i drejton dronët. Përveç njerëzve pa përvojë, autoritetet dyshojnë gjithnjë e më shumë se dronët që fluturojnë në afërsi të aeroporteve përdoren nga shërbimet sekrete ose terroristët.
Shumica e dronëve në aeroportet e mëdha
Gati tre të katërtat (74 përqind) e dronëve janë konstatuar në afërsi të aeroporteve të mëdha. Një rritje e ndjeshme u vu re në aeroportin më të madh të Gjermanisë në Frankfurt. Në njëmbëdhjetë muajt e fundit aty u regjistruan 45 raste të rrezikshme fluturimi dronësh, krahasuar me vetëm 17 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Alarme të shpeshta për dronë janë raportuan gjithashtu nga aeroportet Këln/Bon (14 raste), Hamburg (13) dhe Mynih (12). Nga aeroporti kryesor i Berlinit, ku vitin e kaluar u regjistruan një numër i lartë dronësh, këtë vit u raportuan vetëm tetë raste.
Në Gjermani dronët nuk lejohen të fluturojnë më afër se 1.5 km nga pistat ku ngrihen ose ulen avionët. Shkelja e këtij rregulli mund të çojë në dënime me heqje lirie deri në 10 vjet./DW/


